
TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shtyrë sërish seancën për shqyrtimin e kërkesës së kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili kërkon lirimin nga masa e sigurisë "Arrest shtëpie". Seanca e radhës është vendosur të mbahet më datë 8 mars 2024. Pas daljes nga GJKKO, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj u shpreh se me këtë vendim GJKKO kërkon ti djegë mandatin e deputetit Berishës.
Genc Gjokutaj: Sot kishim seancën e shtyrë nga seanca e kaluar për revokimin e masës së sigurisë arrest shtëpie për Berishën. Gjykata nuk e pranoi arsyetimin që ne ta përfaqësojmë në mungesë. Në qëllimin e saj që i ka vendosur vetes për të djegur mandatin e Berishës, e shtyu sërish pa asnjë shkak ligjor.
Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha po qëndron në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, që nga data 30 dhjetor 2023, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme, që ka rënduar masën fillestare të caktuar ndaj tij, me argumentin se ai nuk iu bind vendimit fillestar, për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Ai akuzohet për korrupsion pasiv në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv "Partizani"./ZËRI