
TIRANË- Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së PD-së, tha se sot pamë një lepurush të vogël, pa ngjyrë në fytyrë, që shkoi në SPAK, aty ku e kishin thërritur, për të dhënë shpjegime për aferën e inceneratorit të Tiranës, ku ai është pronari faktik. Në protestën qytetare para Bashkisë së Tiranës, Këlliçi tha se policia e shtetit duhet të arrestojë një bandit dhe të arrestojë atë që vodhi 30 mln euro me “5D”, të kapë atë bandidin që as nuk skuqet dhe as nuk nxihet.
'Kjo protestë është kundër hajdutit më të madh që ka parë Shqipëria, banditit më të madh që ka parë bashkia e Tiranës. Erion Veliaj ka vjedhur 132 mln euro me inceneratorin e Tiranës, 60 mln euro me dherat, 30 mln euro me ‘5D’, dhe kjo banda këtu vjedh taksat e qytetarëve. Do jemi këtu për bandën e 5D. Janë një sërë drejtorësh që presin të strehohen tek shokët e tjerë të 5D, si Herion Rrapaj e të tjerë. Elton Kacidhja, banditi i Zall Herrit Arben Maloku të gjithë e keni vendin aty ku ndodhen drejtorët e tjerë. Ne nuk tërhiqemi. Është rast unikal në Shqipëri, që një kryetar bashkie tregohet me gisht si përtfitues dhe pronar faktik i inceneratorit të Tiranës. Ku janë ndërkombëtarët që nuk shohin vjedhjen që ndodh në Bashkinë e Tiranës, ku janë këta ndërkombëtarë që nuk shohin se si nuk lejohen anëtarët e këshillit bashkiak të marrin pjesë në mbledhje. Kjo protest është kundër hajdutëve, po na vjedhin të gjithëve”,-tha Këlliçi.