Politikë

“Ka dhënë dorëheqjen!”/ Si qëndron e vërteta, Jorgo Goro përgënjeshtron 'fake news': Vijoj detyrën

Kryebashkiaku Goro ka kontaktuar me disa media duke dhënë versionin e tij lidhur me pretendimet e medias greke.

k.m.
“Ka dhënë dorëheqjen!”/ Si qëndron e
Fredi Beleri dhe Jorgo Goro

HIMARË- Jorgo Goro ka përgënjeshtruar lajmet lidhur me largimin e tij nga posti i kryebashkiakut të Himarës. Sot, media greke “Greek City Times” raportoi se kryetari bashkisë Himarë, Jorgo Goro kishte dhënë dorëheqjen. Por nuk citonte asnjë burim për lajmin e dhënë për ndjekësit e tyre. Megjithatë e vërteta është krejt ndryshe!

Kryebashkiaku Goro ka kontaktuar me disa media duke dhënë versionin e tij lidhur me pretendimet e medias greke.

“Nuk e kam dhënë dorëheqjen. Vazhdoj detyrën,”-është shprehur ai për TopChannel.

Edhe pse artikulli ishte një lajm i rremë, lidhur me ngjarjen reagoi nga burgu edhe kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri. Sipas tij, po sot qeveria me në krye Edi Ramën do të emronte kryetarin e ri të Bashkisë së Himarës, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani. 

"Goro, njeriu që qëndroi kryetar bashkie për kaq shumë muaj, pavarësisht se kishte humbur zgjedhjet bashkiake, nxitoi të shpallte “dorëheqjen”. Ai në fakt nuk dha dorëheqjen, por hoqi dorë nga posti i tij i humbur prej kohësh. Në fund të fundit, ai ishte një kukull. Përshëndes hapat e rëndësishëm të Edi Ramës drejt realitetit. Por është një gjysmë hapi në lidhje me atë që duhet të bëjë menjëherë. Jam i informuar se kërkon të vendosë dikë tjetër kryetar të përkohshëm,"-shkruante Beleri në rrjetet e tij sociale. 

Por përse ka nisur të diskutohet dorëheqja e Jorgo Goros?

3 ditë më parë, vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që rrëzoi kërkesën e Fredi Belerit për leje nga burgu për t'u betuar si kryebashkiak i Himarës, solli reagimin e kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, Fredi Beleri duhet të përballet me drejtësinë, i pa veshur me pushtet deri në një vendim të formës së prerë ndaj tij.

Por gjithashtu theksoi se duhet një zgjidhje për drejtimin e bashkisë së Himarës derisa procesi i Belerit të përfundojë, duke nënkuptuar se mund të kishte zgjedhje të parakohshme. Zërat u shtuan edhe nga kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Edhe ky i fundit për mediat greke tha se Rama do emërojë një tjetër kryebashkiak në vend të Belerit në Himarë. Por këto komente nuk kanë marrë asnjë reagim nga vetë kreu i qeverisë, i cili deri më tani nuk ka bërë asnjë veprim ligjor për të ndryshuar të parin e Himarës. 

Gjatë këtyre seancave të monitoruara nga pala diplomatike e Greqisë, Beleri këmbëngul se arrestimi i tij është politik dhe se po mbahet në burg në mënyrë të padrejtë. SPAK e ka kundërshtuar këtë qëndrim, për këtë arsye vazhdon të refuzojë dhe kundërshtojë betimin e Fredi Belerit për të marrë drejtimin e Bashkisë së Himarës.

Beleri akuzohet për korrupsion zgjedhor, pasi pagoi një qytetar i cili dëshmoi se mori para dhe ia dha qytetarëve në këmbim të votave. Arrestimi i tij është bërë dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Kjo ngjarje solli reagime edhe nga pala greke, e cila ka bërë shpesh thirrje për lirimin e Belerit. Athina ka ashpërsuar qëndrimin e saj në lidhje me kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në lidhje me çështjen Beleri./ZËRI

Poll

MOS HUMB