
TIRANË- Ilva Gjuzi hyri "vrullshëm" në politikë! Brenda shumë pak kohësh ka marrë poste të rëndësishme si në strukturën e Partisë Socialiste, ashtu edhe në kabinetin qeveritar. Më 8 shtator, ditën kur socialistët mblodhën Asamblenë në Durrës, Ilva Gjuzi u prezantua si nënkryetare. Një post, që të tjerë, të cilët kanë më shumë kohë se ajo në strukturat e selisë rozë e lakmojnë!
Me detyrën e re "mbi shpinë", Ilva nisi daljet e saj në ekrane, ku menjëherë i shpalli "luftë" ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi. Në një përballje me të në emisionin "Opinion", ajo i hodhi 'dorezën e bardhë', duke e sfiduar publikisht.
“Belind, jo Erion Veliaj por dhe unë po të isha përballë teje do të mundja,”- iu drejtua Gjuzi-Këlliçi.
Por në të njëjtin emision, tregoi edhe me shumë për veten. Ajo zbuloi se ka mbaruar studimet për arkitekturë në Universitetin e Kembrixh dhe është kthyer në Shqipëri për t'u angazhuar në politikë krah Partisë Socialiste.
“Unë jam nënën e 3 fëmijëve, para 10 vitesh u ktheva në Shqipëri pasi u diplomova në Universitetin e Kembrixh, kam studiuar për arkitekturë. Jam kthyer në Shqipëri në vitin 2014 dhe jam kthyer për një arsye të thjeshtë. Sepse besoj që Shqipëria është vendi më i mirë në botë me gjithë të metat dhe të këqijat që mund të ketë. Besoj te puna, te orët e punës, te kilometrat. Unë jam këtu sepse besoj që kam kapacitetin për të dhënë kontribut për vendin tim. Është detyra morale e kujtdo që ka kapacitet të kontribuojë për vendin,”- tha ajo në "Opinion".
Si e takoi Ramën?
"Po mendoja, ore këta e kanë seriozisht rienergjizimin apo e bëjnë për fasadë që t'i mbushin mendjen njerëzve që po sjellin figura të reja? Shkova në një nga takimet. Ishte prezent edhe vetë kryeministri. Fola pa doreza, ashtu siç jam unë. Thashë ore unë e njoh këtë komunitet, ka këto problematika në sektorin e turizmit. Shpalosa idetë që unë kisha, mua nuk më duhej asnjë vend pune, por doja të bëja diçka për komunitetin tim. Dhe ja ky jemi sot..."
Duke marrë parasysh që jemi prag fushate elektorale për zgjedhjet parlamentare, Gjuzi ka bërë edhe dalje të tjera. Bashkë me të tjerë të rinj të Partisë Socialiste u shfaq në "Euroneës". Në këgtë dalje tregoi se e keqja me e madhe e kryeministrit Edi Rama ishte fakti se ishte shumë para të tjerëve. Madje, e tha edhe me njësi ekzakte se Rama ishte 10 hapa para të tjerëve.
“Edi Rama ka shumë të meta! Edi Rama është 10 hapa para të tjerëve. Është më përpara se ç’duhet! Po pra kjo është një e metë e madhe se të jesh shumë përpara është e metë,”-tha Gjuzi. Deklaratë kjo që iu shpërnda kudo në rrjetet sociale, pa ia kursyer edhe kritikat.
Edhe pse ajo dhe e reja tjetër socialiste, Helena Kaçi, janë kritikuar në rrjet për fjalët ndaj kreut të qeverisë, asnjë prej tyre nuk reagoi!
Tashmë, Gjuzi ka një detyrë të re, të tregojë se ç'di të bëjë si zv.ministre./ZËRI