
TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është paraqitur mesditën e kësaj të hëne në ambientet e Gjykatës së Posaçme ku do të njihet me masën e sigurisë së dhënë ndaj tij, detyrim paraqitje, dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. Beqaj ka hyrë në GJKKO së bashku me avokatin e tij Ermal Yzeiri, ndërsa seanca do të drejtohet nga gjyqtari Erjon Bani. Ish-ministri i shëndetësisë është paraqitur 30 minuta para seancës.
Ilir Beqaj akuzohet për 3 vepra penale, atë të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” në lidhje me koncensionin e sterilizimit, hetimet për të cilin kanë nisur pas një denoncimi nga Nisma Thurje.
Në dosjen e SPAK ka disa episode ku Beqaj bëhet përgjegjës për akuzat e mësipërme.
Fillimisht procedura e hapur me negocim për dhënien e tenderit, ka qenë në shkelje me ligjin. Sipas prokurorisë së posaçme, ligji parashikonte që për koncensioni të ndiqej një procedurë e hapur, dhe jo me negocim, në mënyrë që në garë të kishin shanse që të përfshiheshin dhe kompani të tjera. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Beqaj në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, duket ta kishte konstatuar shkeljen e bërë në procedurën e tenderit, që favorizonte një kompani të vetme.
Po ashtu sipas SPAK, Beqaj duhet të ishte në dijeni të konfliktit të interesit që kishte mes biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij Klodian Rrepaj. Një tjetër shkelje sipas organit të akuzës është edhe fakti që në cilësinë e titullarit Ilir Beqaj duhet të kishte konstatuar se nga procedurat koncesionare janë fryrë kostot nga ana e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë që mori përsipër të bënte sterilizimin e seteve kirurgjikale.
Në bazë të hetimeve të kryera dhe analizës së dokumenteve, SPAK ka dyshime se kompania që fitoi koncesionin është favorizuar nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe kjo gjë është lejuar edhe nga ish-ministri Beqaj, i cili fillimisht nuk u vu nën masë sigurie nga ana e SPAK. Ishte Gjykata e Posaçme përmes gjyqtarit Erjon Bani, ajo që i kërkoi SPAK vijimin e hetimit për Beqajn, që tashmë është nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për daljen jashtë vendit”.
Bani vlerësoi se hetimet ishin të paplota dhe e orientoi Prokurorinë drejt hetimit të çështjes edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Pas vendimit të gjykatës, SPAK deklaroi se hetimet për Beqjen ishin në proces.
Në dosjen e parë për koncesionin e sterilizimit të seteve kirurgjikale, SPAK ka konstatuar edhe lidhjen mes Beqaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Ata kanë udhëtuar disa herë së bashku në drejtim të Italisë dhe Vienës. Po ashtu ka pasur edhe shkëmbime mesazhesh në e-mail midis tyre, çka tregon se ish-kreu i shëndetësisë nuk ka qenë pa faj në koncensionin që është mbrojtur me forcë dhe nga vetë kryeministri Edi Rama.
Beqaj do të paraqitet gjatë ditës së nesërme në ambientet e GJKKO, në orën 12:00 ku do të njihet dhe me masën e sigurisë, e cila i është komunikuar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit sapo ka mbërritur në Shqipëri nga jashtë vendit.
Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor. Prej vitit 2021, Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe në tetor të këtij viti, ai u bë pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Agjensi nga e cila dha dorëheqjen menjëherë pas njohjes me masën e sigurisë nga SPAK.
/Zëri.ai