
TIRANË- Është zhvilluar me debate dhe tensione dhe mbledhja e kësaj të premteje e Komisionit Hetimor për Koncensionin e Check-up dhe Sterilizimit. Nënkryetari i Komisionit, socialisti Eduart Ndreca ka kërkuar që hetimet për koncensionin e Sterilizmit të shtrihen prej vitit 2009. Kjo u kundërshtua fort nga deputetët e opozitës në Komision.
Plarent Ndreca: Ne vlerësojmë që kontrata e Sterilizimit duhet hetuar në gjithë kontekstin paraprak të kësaj kontrate. Komisioni duhet të ketë informacion të plotë deri në momentin që është lidhur kontrata. Kontrata është lidhur në tetor 2009. Kështu që ne mendojmë se duhet vlerësuar e gjithë panorama. Të kemi informacion para lidhjes së kontratës, në momentin e lidhjes dhe pas lidhjes së kontratës.
Por për deputetin demokrat Edomond Spaho, një hetim i tillë do ta fuste punën e Komisionit në “qorrsokak” dhe nuk do të jepte zgjidhje. Spaho tha se ky Komision ka në fokus të tij, koncensionet e dhëna prej vitit 2013, ku në krye të ekzekutivit erdhi qeverisja e majtë.
Edmond Spaho: Kemi kërkuar hetimin e kësaj çështje të caktuar dy kontrata të hetuara, zbatuara nga qeveria e majtë pas 2013 kur erdhi në qeverisje dhe të fillosh të kërkosh para kësaj periudhe do të thotë ta nisësh punën e komisionit në qorrsokak. Nëse jeni të interesuar të hetoni këtë çështje keni të drejtën e perëndisë të hetoni çfarë të doni, por objektin e kemi dy kontratat. Edhe nga ana teknike nuk ka asnjë lidhje çështja që flisni ju. Mos ngelemi tek kjo se do t’i hyjmë një debati pa krye.
Ndërkohë që fjalën e mori Edona Bilali duke mbrojtur idenë e hetimit edhe në periudhën para 2013, ndërhyri pa mikrofon sërish deputeti demokrat, Edmond Spaho.
Edmond Spaho: Po ç’thua moj, ça lidhje ka konteksti?
Ilir Metaj: Mos e ndërpri! Lere të flasë! Karagjoz! Ne duhet të hetojmë çështjet që nga origjina deri në pikën më fundore. Nuk mund të bëjmë figurën e atyre që lexojnë titujt e gazetave dhe mendojnë se njohin lajmin. Kjo anije, ekuipazhi i të cilës ne jemi, është ndërtuar të udhëtojë drejt destinacionit duke udhëtuar në ujëra të cekëta e në ujra të thella. Ndryshe nuk ka arritje në destinacion. Hetimi ynë do jetë në thellësi. Nuk mund të bëjmë figurën e atyre që dërgohen për ekspeditë në Everest dhe mostrat e analizave i marrin te fushat e kodrave poshtë.
Milva Ekonomi: Unë mendoj që ne duhet të hetojmë në thellësi dhe nuk quhet humbje kohe produktiviteti maksimal i punës së komisionit. Kjo është e nevojshme.
Në debat u përfshi më pas edhe deputeti Saimir Korreshi. Ai tha se objekti i hetimit të Komisionit nuk mund të ndryshojë.
Saimir Korreshi: Unë jam jurist s’mund të dalim jashtë objektit, ne kemi vajt në Kuvend me një objekt, i cili është miratuar, doni ta ndërpresim shkojmë tek Kuvendi tjetër edhe çojmë nga dy mijë, di unë që nga koha e Zogut, problematika është ca ka firmosur dhe votuar kuvendit nuk e vendosim ne jashtë objektit se nuk e ka ngritur ky komision objektin e ka punuar vendimi i kuvendit, janë 120 deputetë që kanë vendosur për objektin e veprimtarisë, po ta kishim vendos ne hajt se po e ndryshojmë. Hajt e zgjasim e çojmë që nga koha e Zogut ju hapni 4 kontrata koncensionare, shikojmë ato që tha Vasili katering, por ama të gjithë jemi të bindur që jemi jashtë këtij objekti, nëse e bëjmë ti bëjmë kërkesë kuvendit, se vendosim ne se Kuvendi do na thotë keni dalë jashtë objektit të veprimtarisë dhe relacionit pastaj piji lëngun, mbaje për kaush për fara luledielli.
Diskutimet:
Milva Ekonomi: Hajde të vlerësojmë pse kemi nevojë të bëjmë këtë hetim. Data që na është vendosur në këtë vendim të Kuvendit, do të jetë data kur të përfundojë raporti i hetimit.
Ilda Dhori: Sa më e foksur puna, aq më produktivë. Sa i përket kohës, është më se mjaftueshëm të mos shpërndahemi në periudhën para koncesionit. Nëse do të shpërndahmi, mendoj se i vetmi dëshmitar që duhet të thirret është Edi Rama, ai vetëm mund të na japë shpjegime më të mira pse u zgjodh PPP për koncesionin në Shëndetësi.
Ilirjan Pendavinji: S’më duket që Rama ka lidhje. Isha dakord me parashtrimin e doktoreshës, por arsyet pse u mor vendimin për check up, u tha nga të dyja palët.
Petrit Vasili: Duhet të biem dakord, të hetojmë kontratat apo politikat. Këtu ka pasur një politikë tjetër. Kanë përdorur një instrument të ligjshëm, që ka qenë koncesioni. Pra, në këtë mes, koncesioni i zbatuar korrekt pas ligjit, nuk do të ishte objekt i diskutimit. A ka mundësi o sekretar. Nuk jemi këtu për politika, jemi për të diskutuar koncesionin. Ne nuk e kemi parë kurrë zgjidhjen te koncesioni. Por e zgjodhën dhe kanë prodhuar dy kontrata. Tani, ne duam të dimë… problem ilindi që kur zgjodhët kontratat. Nëse s’doni ta hetoni, thuajeni. Ka 6 muaj që s’doni ta hetoni. Kjo është e ndarë. Çështjet e hetimit kanë objekte të caktuara. Nse doni të merrni atribute për të studiuar infeksionet, s’besoj se e bëjmë dot.
Petro Koçi: Kjo nuk e bllokon hetimin, por e zgjeron. Nuk mund ta ndajmë çështjen nga gjykimi për politika të caktuara se këtë komision politika e ka kërkuar. Duke respektuar një proces që duhet të jetë i drejtë, jemi këtu mes palëve politke.
Ndërkohë kryetarja e Komisionit Hetimor për Koncensionin e Sterilizmit dhe Check-up, Albana Vokshi, deklaroi se kjo pikë për të cilën palët nuk bien dakort do të diskutohet në mbledhjen e Kryesisë së vogël të hënën. Ndërsa pikat e tjera u miratuan me konsensus mes palëve.
Albana Vokshi: I kemi të dy palët, jemi të ndarë në këtë pikë, ndërkohë që për të gjithë pikat e tjera jemi dakortësuar. Për aq kohë sa për këtë nuk biem dakort, ajo që ne kemi kërkuar është se si është dhënë ky koncension. Unë bie dakort me nënkryetarin, përveç kësaj pike. Pjesën tjetër të planit ne e kalojmë të miratuar. Këtë pikë do ta diskutojmë mbledhjen e ardhshme, që është dakortësuar të martën, nëse ka ndryshime do iu njoftojmë. Me si Kryesi e vogël do ulemi ditën e hënë për të rakorduar, ose për të mos u rakorduar për këtë pjesë të planit. Shpresoj që po, që të ecim. Të gjithë jemi dakort që të kalojmë të gjitha pikat e planit, përveç kësaj.
Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit./ZËRI