
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha komentoi këtë të enjte mosprezencën e djalit të tij Shkëlzen Berisha në seancën e thirrur në Gjykatën e Posaçme në ngarkim të çështjes “Gërdeci”. I pyetur nga gazetari i ZËRIT Edon Kuqi nëse mosprezenca e Shkëlzen Berishës në SPAK është një tentativë për të iu shmangur drejtësisë, Berisha e mohoi duke thënë se i biri nuk ishte njoftuar nga ana e Prokurorisë së Posaçme. Po ashtu nuk munguan akuzat ndaj SPAK.
Ndrsa pyetjes se si do të vijojë aksioni opozitar në Kuvend ndërkohë që maxhoranca miratoi ndryshimet që pezullojnë një deputet deri në dy muaj nga Kuvendi në rast se shkakton trazira, Berisha tha se opozita është në betejë pa kthim por nuk dha më shumë detaje se si do të vijohet.
Prononcimi:
Pyetje: Shkëlzen Berisha ishte thirrur sot të jepte dëshminë e tij në SPAK në lidhje me dosjen Gërdeci, megjithatë nuk u paraqit. A po i shmanget Shkëlzen Berisha drejtësisë? Dhe a keni menduar ndonjë plan B sa i përket vijimit të seancave plenare pasi me ndryshimet e miratuara këtë të enjte rrezikoni përjashtimin deri në 60 ditë?
Sali Berisha: Është thjesht një manovër e turpshme e skapistëve të partisë sepse Shkëlzen Berisha është thirrur për këtë çështje kohë më parë në SKAP, ka dhënë çdo përgjigje, ka lënë aty adresën fizike dhe elektronike. Ka lënë adresën fizike dhe elektronike. Por ata kanë preferuar të bëjnë më shumë politikë sesa ta njoftojnë pasi thirrja e tij aty është një akt i mirëfilltë politik. Në mënyrë absolute nuk ka asnjë lloj lidhje me asnjë akt, proces, moment të asaj drame që ka ndodhur. Zero! Dhe ai ka dhënë shpjegime. Ata e dinë që nuk kanë asnjë lidhje, madje familjarët e kanë kuptuar se këta po bëjnë politikë me hetimet e tyre. E vërteta është se familjarët për politikë nuk janë të interesuar. Ata kanë problemin e tyre. Ka një njoftim që ka bërë Shkëlzen Berisha, në të cilin ai ka sqaruar se nuk është njoftuar se ai të dy adresat, atë fizike dhe atë elektronike nuk i ka ndryshuar dhe i ka lënë në SKAP. Po ta marrësh për serioz një organ që funksionon në parimet e vjetra të policisë sekrete, funksionon si grupe kriminale të strukturuara, nuk duhet marrë seriozisht. Për pyetjen e dytë Kuvendi i Partisë Demokratike ka qenë i qartë, linja e Partisë Demokratike është mosbindje civile dhe betejë. Demokratët në Kuvend këtë linjë votuan. Kësaj i mbetemi pa asnjë llojë lëkundje./ZËRI