
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhit dhe deputetët e të tjerë të opozitës të cilët janë përjashtuar për shkak të trazirave të shkaktuara në Kuvend, u është ndaluar hyrja në godinën e Kryesisë. Mësohet se Garda deri më tani ka një urdhër që këta deputetë të mos i lejojë të futen në godinë, edhe pse vetë Bardhi ka thirrur në mbledhje të grupit parlamentar të PD-së, pikërisht në godinën e Kryesisë së Kuvendit. Kjo e hënë parashikohet të ketë një axhendë të ngjeshur në Kuvend, për shkak se parashikohet të zhvillohen mbledhjet e 5 Komisioneve parlamentare.
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, i cili do të duhej të niste në orën 09:30, nuk ka nisur ende, ndërkohë që më pas parashikohen të mblidhen dhe 4 komisione të tjera, ai i Ligjeve, Shëndetësisë, Politika e Jashtme dhe Veprimtaria Prodhuese ku kryefjalë do të jetë projekt-buxheti i vitit 2024.
Edhe në mbledhjet e sotme të Komisioneve nuk pritet që të ketë normalitet, pasi opozita nuk ka nmdërmend të tërhiqet nga skenari i bllokimit, për të mos lejuar punime normale në Kuvend derisa të plotësohen 3 kërkesat e tyre (mos-përfshirjen e PS në punët e brendshme të grupit të deputetëve të PD, zëvendësimin e anëtarëve dhe bashkë-kryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare).
Por, socialistët e kanë gati skenarin “B”, pasi mbledhjet janë zhvendosur online, pavarësisht se kjo mënyrë parashikohet vetëm në situate të jashtëzakonshme. Nga ana tjetër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike me në krye Gazment Bardhin të bëjnë një mbledhje rreth orës 10.15 të ditës së sotme.