
TIRANË- Eurodeputeti i "NeoDemokracia" dhe ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka sugjeruar dorëheqjen e kryedemokratit Sali Berisha. Pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Beleri u shpreh se kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis e priste fitoren e Edi Ramës në zgjedhjet e 11 majit. Në një intervistë për “Shqipëria Live”, Beleri kritikoi dhe opozitën për këtë humbje të thellë, duke u shprehur se duhet të mbajnë të gjithë përgjegjësi, por i pari duhet të jetë kryedemokrati Berisha.
“Të dielën votojnë PS, të hënën kërkojnë vizë për Europë. Të njëjtët njerëz. Nuk është normale. Opozita duhet të bëjë gjithçka. Qoftë dhe dorëheqjen e kryetarit që të sensibilizohet populli. Të ndryshojë situata. Nëse rezultati nuk arrihet, atëherë duhet të mbajnë përgjegjësi të gjithë, i pari kryetari. Unë jam te komisioni parlamentar BE-Shqipëri. Sa herë që të bëjë komisioni ynë mbledhje, do jem i pranishëm. Nëse do të jetë Rama aty, atëherë fatkeqësisht do e kem përballë. Nuk mund të ankohen për Ramën se vetë e votuan. Mitsotakis e priste që Rama do fitonte. Ai thotë që neve nuk na duhet kush do jetë. Mitsotakis është dashamirës i Shqipërisë dhe një nga kryeministrat që i dëgjohet zëri në Europë. Shpresoj që të normalizohen marrëdhëniet. Nëse shqiptarët janë të kënaqur me rezultatin, me kandidatë të rinj që shpartallojnë ish-ministrat në zgjedhje, atëherë Mitsotakis është i kënaqur,"- u shpreh Beleri.
Beleri është parë shumë afër Berishës gjatë fushatës, por po ashtu është një nga personat e parë të përfshirë në fushatë që ka kërkuar largimin e kryedemokratit nga posti që mban. Të gjithë kandidatët e tjerë janë ndarë në dy "kampe", një grup që pretendon se zgjedhjet janë të vjedhura dhe se Berisha nuk i ka humbur; dhe të tjerë që presin fundin e procesit të numërimit për të bërë një reflektim lidhur me atë që ka shkuar keq gjatë fushatës./ZËRI