
TIRANË- Të 'besuarit' e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj duket se ishin të preferuarit për marrjen e granteve. ZËRI ka zbuluar një tjetër rast ku përfshihet shefit të kuzhinës së restorantit "Gzona", Bleri Dervishi. Megjithatë Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes i besoi shumën për të sjellë në jetë idenën e tij.
"Komisioni i vlerësimit të dhënies së grant-ve për mbështetjen e start-upeve; shpall fitues aplikantët me 80 pikë e sipër. Komisioni shpalli fitues dhe miratoi nivelin e financimit për aplikimet e 23 start-upeve dhe 29 lehtësues. Bleri Dervishi, vlera e financimit= 9,977,600, lekë"-shkruhet në dokument.
Megjithatë përgjatë 2 viteve të fundit nuk dihet se çfarë është bërë me të ashtuquajturin 'food lab', a u bë ndonjëherë apo jo. Në rrjetet sociale të shefit të kuzhinës nuk ka asnjë promovim. Ndërsa faqja e tij zyrtare në rrjet është jashtë funksionit, duke ngritur pikëpyetje: Ku kanë shkuar këto para?
"Përshëndetje të gjithëve unë jam Bleri Dervishi, jam shef kuzhine dhe krijuesi i ateljesë së ushqimeve shqiptare që mund të themi është risia e parë në fushën e kulinarisë. Do të funksionojë si food lab, arritëm të krijojmë këtë koncept dhe laborator unik ku do të kërkohet për çdo gjë që ka lidhje me ushqimin. Falë kësaj nisme do vazhdojmë të kërkojmë edhe më shumë. Ju pres tek ateljeja e ushqimeve shqiptare,"-thotë shefi në promon e tij të publikuar nga ish-ministrja Edona Bilali. Por se ku janë zhvilluar këto teste dhe cilat janë rezultatit e të ashtuquajturit 'food lab' ende nuk e dimë.
Të paktën, vetë shefi duhet që ta reklamonte në rrjetet e tij sociale, ashtu siç ka bërë me "VIP-at" që kanë konsumuar vakte tek restoranti "Gzona", e cila lidhet me ish-ministrin Beqaj.
Sipas Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, estoranti “Gzona’ brenda në Kalanë e Tiranës ndonëse ka për administrator emër tjetër është pronë e fshehur e Beqajt. Restoranti është me emrin tregtar kompania “Albanian Food and Hospitality Lab”, e ka qenë i regjistruar me aksioner Ilir Beqaj dhe bashkëshorten e tij Adriana Beqaj. Por sipas SPAK ka ngritur dyshime se Beqaj është larguar si aksioner ‘de jure’ nga ky biznes pasi në të vërtetë vijonte të kishte kontrollin përmes Ermal Kurtulaj dhe Gazmend Prengës.
Megjithatë në një mënyrë a tjetër, paratë e shtetit shkojnë sërish në këtë burim. Të jetë e gjitha një rastësi? Ku kanë shkuar 100 mijë dollarë? A ekziston vërtetë një "food lab"? Këto pyetje na mbeten ende pa përgjigje...
ZËRI është duke e ndjekur këtë çështje, ndaj na ndiqni.../ZËRI