Politikë

Euractiv: Shqipëria ka shanse reale për hapjen e negociatave këtë vit!

Ekzekutivi në largim i BE-së do të jetë ende përgjegjës për paraqitjen e raporteve të fundit të zgjerimit të këtij mandati deri në mes të tetorit.

k.m.
Euractiv: Shqipëria ka shanse reale për hapjen e negociatave
Foto ilustruese

BRUKSEL- Për shumicën e kandidatëve me shpresë për t'ju bashkuar Bashkimit Europian, krahas përpjekjeve të tyre për t'ju përshtatur reformave, 5 vitet e ardhshme do të varen nga mënyra se si Komisioni Evropian dhe vendet anëtare vendosin t'i qasen zgjerimit. Javën e ardhshme mund të kemi disa përgjigje.

Ekzekutivi në largim i BE-së do të jetë ende përgjegjës për paraqitjen e raporteve të fundit të zgjerimit të këtij mandati deri në mes të tetorit. Këto dokumente teknike zakonisht të gjera dhe të detajuara mund që  këtë herë të tregojnë se cilët kandidatë për BE-në kanë bërë përparim të konsiderueshëm për të ecur përpara.

Sipas "Euroactiv", pritshmëria është që gjuha të jetë pozitive për Ukrainën dhe Moldavinë, por edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor mund të shohin përparim këtë vjeshtë. Mali i Zi mund të shpresojë të mbyllë disa kapituj të negociatave pasi qeveria e re dha vrull dhe perspektivë drejt reformave të brendshme. Shqipëria mund të fillojë "de facto" bisedimet e pranimit këtë vjeshtë, thonë zyrtarët e BE-së, duke u shkëputur nga Maqedonia e Veriut, e cila mbetet e frenuar nga kushtet që ka vendosur Bullgaria për ndryshime në kushtetutë.

Pozitiv është edhe Oliver Varhelyi! Edhe sipas tij, muajin e ardhshëm Shqipëria do të nisë diskutimet për kapitullin e parë të anëtarësimit në Bashkimin Europian, atë për të drejtat themelore. Para eurodeputetëve, Varhelyi deklaroi se Shqipëria ka bërë reforma të thella, veçanërisht në drejtësi, ndërkohë që nuk ka kushte nga vendet anëtare të BE-së. Komisioneri njoftoi gjithashtu ndarjen e vendit tonë nga Maqedonia e Veriut, e cila nuk po arrin që të miratojë ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Bullgaria, kusht për të cilin Brukseli nuk mund të tolerojë qeverinë e djathtë në pushtet në Shkup.

"Tani çështja që kemi përpara nuk është nëse do t’i pranojmë shtetet ballkanike në familjen evropiane, por kur do të ndodhë kjo. Sa më shpejt t’i integrojmë plotësisht këto vende, aq më i fortë dhe më i qëndrueshëm do të jetë stabiliteti në kontinentin tonë. Në këto vite kemi marrë vendime të rëndësishme për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke mbajtur me to konferencat e para ndërqeveritare. Shpresoj që muajin e ardhshëm të hapim kapitullin e parë të negociatave për çështjet bazë me Shqipërinë dhe ndoshta edhe me Maqedoninë e Veriut, në varësi të miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Ne kemi hartuar dhe zbatuar instrumente si plani i rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh për të përshpejtuar integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor,"- u shpreh ai.

Gjeorgjia, ndërkohë, duhet të presë zgjedhjet parlamentare më 26 tetor, të cilat ose mund ta rikthejnë atë në rrugën e saj në BE ose të prishin më tej lidhjet me bllokun pasi Brukseli ngriu vizitat e nivelit të lartë dhe ndihmën ushtarake në Tbilisi për shkak të ligjit të fundit të  miratuar në vend.

Zyrtarët e lartë të BE-së, gjatë dy viteve e gjysmë të fundit, kanë argumentuar se situata aktuale gjeopolitike nënkuptonte se ishte e nevojshme të përshpejtoheshin procedurat e zgjerimit, të cilat Jean-Claude Juncker i ndaloi duke sjellë pothuajse një dekadë stanjacion./ZËRI

Poll

MOS HUMB