
TIRANË- Emërimi i Delina Ibrahimaj dhe Ervin Metes në postet e tyre të reja është kaluar sot nga Kuvendi i Shqipërisë, por me shkelje të Kushtetutës, sipas opozitës. Në seancën e sotme plenare, Ibrahimaj pas 2 vite në krye të financave të vendit, është shkarkuar me 105 vota pro dhe asnjë kundër, për t'u emëruar më pas, vetëm me votat e maxhorancës si ministre e Shtetit për Sipërmarrjen me 73 vota pro. Në vendin e saj, si ministër i Ekonomisë dhe Financave është vendosur Ervin Mete me 74 vota.
Menjëherë pas votimit, kryetari i njërit prej grupimeve parlamentare të Partisë Demokratike, kërkoi fjalën. Sipas tij, Presidenti Bajram Begaj ka shkelur Kushtetutën. Kjo pasi sipas Bardhit, presidenti ka sjellë në Kuvend dekretin për miratimin si Ministër i Financave të Ervin Mete, i cili ende nuk është shkarkuar nga posti i tij si drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, detyrë që e mban që nga maji i vitit 2020.

“Në kundërshtim flagrant me nen 103, presidenti ka dekretuar ministër një zyrtar publik që nuk mund të emërohej sepse ushtronte një funksion tjetër publik. Shkarkimi i Mete është bërë në seancën e të hënës, pasi presidenti e kishte dekretuar si ministër. Ka sjellë një dekret në kundërshtim flagrant me Kushtetutën. Ka bërë dekretim pa kryer verifikim formal nga anëtari i Këshillit të Ministrave,”- tha Gazment Bardhi.
Ndërkohë që kolegia e tij demokratike, Ina Zhupa, paralajmëroi se pikërisht kjo çështje do të ankimohej nga opozita në Gjykatë Kushtetuese. Sipas ligjit, Mete që të votohej si ministri i ri i kabinetit të kryeministrit Edi Rama, duhet të ishte shkarkuar prej 48 orësh, ndërkohë që aktualisht as nuk është larguar nga posti. Madje dhe në faqen zyrtare të AMF-së, Ervin Mete rezulton ende pjesë e bordit drejtues. E teksa opozita listonte shkeljen në Kuvend, deri më tani, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ana e maxhorancës, por as nga Presidenca për të shpjeguar emërimin e tij.
Madje 'ngërçin' e konfirmoi edhe Eduard Shalsi, i cili në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, sqaroi se: Si rregull Kuvendi para se të miratojë detyrën e Ervin Metes si ministër i Financave, duhet të miratojë dorëheqjen e tij nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe posti i Drejtuesit të këtij institucioni. Pra votohet vendimi për lirimin e zotit Ervin Mete.
Por edhe pse Shalsi e kërkoi, ende nuk ka ndodhur.
NDRYSHIMET NË QEVERINË RAMA
Ndryshimet në qeveri u propozuan nga kryeministri Edi Rama më 4 shtator në Asamblenë e Partisë Socialiste ndërsa pas miratimit në Kuvend, ministrat e rinj u betuan tek Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Por mungoi, si Mete edhe Ibrahimaj, madje votimi i tyre nuk u bë me 5 ministrat e tjerë. Votimi i tyre u shty për sot, por sërish pa i përmbushur kërkesat e nevojshme për emërimin në detyrë, duke sjellë kështu edhe reagimin e opozitës.