TIRANË- Seanca paraprake ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, Monika Kryemadhit dhe të pandehurve të tjerë është shtyrë sërish për në datën 29 janar. Mësohet se në seancë ishte i pranishëm edhe vetë ish-Presidenti, ndërsa burime bëjnë me dije se ka pasur edhe debate mes palëve, sa u përket provave ndaj Metës.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani pretendoi mungesë të fakteve, ndërsa në përfundim deklaroi se në seancën e radhës, do të paraqesin prapësimet e tyre dhe do të shprehin kërkesat në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj ish-presidentit të vendit.
“Do takohemi në datën 29, shpresojmë që të jetë përfundimtare sa i përket relatimit të kërkesës së prokurorëve dhe ne do paraqesim prapësimet tona dhe do shprehim kërkesat tona sa i përket akuzave”, tha Cakrani.
Seancat paraprake për kalimin ose jo në gjykim të dosjes “Meta” nuk do të mund të zhvillohen më ditë të martë ose të mërkurë, duke qenë se Kryemadhi është e angazhuar si opinioniste në një format televiziv dhe do të jenë çdo të enjte në orën 10:00.
Ndërkohë më herët, Monika Kryemadhi është paraqitur në ambientet e GJKKO në zbatim të zbatim të masës së sigurisë detyrim paraqitje.
Vieë this post on Instagram
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI