Politikë

Dështon edhe Komisioni Hetimor për TIMS? PS ikën nga mbledhja, mbetet vetëm opozita

Salianji nguli këmbë se kolegët socialistë nuk mund të ndryshojnë mendim për të zhbërë vendimmarrjen e mbledhjes së kaluar.

k.m.
Dështon edhe Komisioni Hetimor për TIMS? PS ikën nga mbledhja,
Pamje nga mbledhja

TIRANË- Edhe Komisioni Hetimor për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi "TIMS" është drejt rrugës së dështimit, ashtu si "simotra" në Shëndetësi. Edhe në këtë komision, deputetët e Partisë Socialiste vendosën që të braktisnin takimin, për të cilin ishin dakordësuar edhe vetë. Mbledhja filloi me debate ku fillimisht ishte deputeti socialist Xhemal Qefaliu, ai i cili akuzoi Ervin Salianjin për dështimin e mbledhjes së kaluar. Sipas socialistit Salianji është ai që ka zvarritur Komisionin në mënyrë që të dështojë. Më pas, një debat u zhvillua pasi Toni Gogu kërkoi që mbledhja e sotme të jetë vazhdimi i mbledhjes së kaluar, e cila u mbajt pasditen e të premtes. Por nga ana e tij, kryetari i këtij Komisioni, deputeti demokrat Ervin Salianji u shpreh se tashmë është e vërtetuar se ka ndërhyrje në sistemin TIMS, duke iu referuar arrestimit të ish-drejtorit të IT së Policisë së Shtetit, Ervin Muçës. Një ndërhyrje pati edhe nga Asllan Dogjani, i cili deklaroi se kreu i Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça shkoi në zyrat e sistemit TIMS bashkë me dy persona të jashtëm për të marrë të dhënat. Sipas Dogjanit, njëri prej tyre ishte i dënuar në Itali për trafik droge dhe prostitucion. Sipas Salianjit, kolegët socialistë nuk mund të ndryshojnë mendim për të zhbërë vendimmarrjen e mbledhjes së kaluar. 

DEBATET MES TYRE:

Qefalia: Ka edhe në radhët tuaja deputetë që duan që ky komision ta kryejë rolin që ka marrë. Habitem kryetar që ju ende nuk e kuptoni se seanca e kaluar ishte një dështim. E kemi të qartë që ju nuk jeni kryetar i komisionit vetëm për PD apo Rithemelimin por kryetar i komisionit hetimor ngritur me vendim parlamenti gjë që nuk po e zbatoni. Mos e prish mbledhjen e komisionit. Keni qenë kundra e zvarritet dhe dy javë dhe donin që ky komision të mësojë fatet e komisionit tjetër. Jemi të interesuar të nxjerrim përgjegjësinë institucionale. Ky komision nuk dërgon shkresat e ekspertëve. Nuk doni të ketë ecuri për këtë komision. Të ulemi të kryejmë të gjitha procedurat.

Në përgjigjen e tij Salianji ka akuzuar mazhorancën se nuk duan të çojnë shkresat për informacion dhe se ka qëllim të bllokojë hetimet.

Salianji: Nuk e përcaktoni ju si e drejtoj mbledhjen. Ju thoni jam sekretar, dhe merr qëndrime se ça bëhet! Ju nuk doni të çoni shkresat për informacion dhe duam. Ju keni votuar kundër!. PS ka qëllim që me komisionet hetimore të bllokojë hetimet! Doni thellësisht që rast pas rasti të bllokoni punën e këtij institucioni. Ne i kemi përparime nuk i kemi siç i keni ju. Nëse doni ta bllokoni jeni të drejtën tuaj, por nëse do të bllokoni kërkesat për informacion do të shkoj në dyert e institucioneve të drejtësisë dhe mos bëjmë lojëra këtu. Po kërkohet të zbatohet ligji, janë kërkesa për informacion. Ju vini dhe bëni politike.

Replikat nuk kanë munguar as mes kryetarit Ervin Salianji dhe nënkryetarit Toni Gogu. Ky i fundit ka kërkuar që të miratohen kërkesat e ekspertëve për informacion, por iu drejtua Salianjit duke i thënë që të “mos sjellin kulturën e asgjësimit të së drejtës së votës”.

Toni Gogu: Grupi i ynë në këtë komision vlerëson që në rendin e ditës konsiderohet vazhdimi i mbledhjes së kaluar. Mungon miratimi i procesverbalit. Seanca që nisëm të premte nuk ka përfunduar dhe në këtë kuptim do të donim që të shqyrtohet kërkesa jonë që kemi bërë në atë pjesë të mbledhjes ku kërkuam riformuluam e pikës së dytë të rendit të ditës që ishte paraqitje e kërkesave nga ekspertet dhe jo miratimi i saj. Sepse ligji pavarësisht dëshirave tona thotë qartë që ekspertet paraqesin kërkesat e tyre. Meqë ekspertet atë ditë morën detyrën ne duhet ti linim kohë. Por ju lutem mos sillni kulturën 4 asgjësimit të të drejtës së votës, na jepni mundësinë që të votojmë. Kërkesat kanë mbërritur në e-mail tuaj dy orë më parë. 

Ervin Salianji: Tani është e vërtetuar ka ndërhyrje në sistemin TIMS, ai sistem përmban të dhëna sensitive, skeda kriminale, të dhëna biometrike, të dhëna policore dhe ndërhyn në privatësinë e qytetarëve të Shqipërisë, por edhe qytetarëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri. Ne nuk mund të luajmë kungulleshka ku kolegë të mazhorancës vijnë dhe thonë unë kam ndryshuar qëndrim nga qëndrimi i mëparshëm. Nuk mund të zhbëhet vendimmarrja e mbledhjes së kaluar. Qartësisht është hedhur në votim, kërkesa për informacion që kanë përgatitur ekspertet janë hedhur në votim. Unë mendoj që kemi detyrimin kushtetues që të jemi në krah të të gjithë institucioneve që zbatojnë ligjin dhe jo të bëhemi barrikadë për të mbrojtur persona me precedent penale, të pretenduar. Por ne nuk mund të bëjmë hetime nëse nuk kemi informacione. Nuk mund të bëjmë hetim parlamentar nëse kolege për arsye politike kërkojnë të bllokojnë punën për kërkesa për informacion. Ky komision ka pasur një vendimmarrje që është e dokumentuar dhe nga kamerat dhe votimi ka qenë me vullnet edhe të anëtarëve socialiste. 6 kanë qenë kundër dhe 7 pro kërkesave për informacion të paraqitur nga dy ekspertë të këtij komisioni që i kemi miratuar bashkërisht.

Asllan Dogjani: Ky skandal që ka ndodhur prek për gjithë qytetarët shqiptarë. Ndërhyrja në sistemin TIMS është një vepër shumë e rëndë kriminale, pavarësisht se në Shqipëri ndodhin shumë gjëra, aq sa nga një skandal kalohet në një tjetër. Unë e vlerësoj si ngjarje shumë të rëndë. Ne na lë të dyshojmë se të dhënat janë marrë për t’i përdorur për qëllime kriminale, më e pakta janë shkelur të drejtat e qytetarëve. Marrja e të dhënave mund të cënojë sigurinë kombëtare. Është tradhti kombëtare, kur ndërhyhet kështu. Më datë 2 gusht, te porta kryesore kanë hyrë Besian Tanuzi dhe Klodian Mazari që në mbledhjen e kaluar thashë është dënuar në Itali për prostitucion dhe trafik droge, me detyrë përgjegjës sektori pranë AKSHI. Dhe një vajzë, Marjana Shehu që nuk është punonjëse e Sistemit TIMS. Pra drejtori ka shkuar me dy persona. Ky që është ngarkuar për të ruajtur, ka marrë një të dënuar për trafik droge dhe prostitucioni.

Laert Duraj: Komisioni ta çojë deri në fund misionin e tij. Por brenda frymës për të cilën është ngritur. Unë mendoj se të gjitha propozimet e ekspertëve të diskutohen pikë për pikë.

Tonin Gogu: Nëse ende do deklaroni me forcë duke mbajtur mikrofonin dhe shpërndarë kohën në mënyrë të padrejtë, do detyrohemi të kërkojmë që ju të qetësoheni… kërkoj 5 minuta pushim meqë shoh dhe nga ana juaj që ka mendime konstruktive dhe të miratojmë çdo kërkesë për informacion.

Ervin Salianji: Nuk e mbyll dot komisionin nënkryetari, se nuk e kanë pronë të veten, se kur ta kenë le të kërcejnë gjithë ditë. PS e kanë mendjen për zyra dhe lekë, t’u gjejmë zyra dhe lekë këtyre ekspertëve thonë, se vetëm aty e kanë mendjen. Nëse duan të qetësohen dhe freskohen, e kam thënë që në nisje që të marrin freskuese me vete se nuk është kollaj që në këtë komision të bëjnë si të duan. Kërkesat janë miratuar me shumicë të këtij komisioni pavarësisht justifikimeve qesharake. 

Por pas propozimit të nënkryetarit Toni Gogu se si mund të zgjidhej ngërçi i krijuar nga mbledhja e kaluar me vendimarrje të njëanshme dhe nuk kushtet kur nuk pati dakordësi nga opozita, anëtarët e Partisë Socialiste u larguan nga mbledhja. Sipas Gogut, maxhorancës po i mohohen të drejtat, ndaj edhe zgjodhi që bashkë me kolegët e tij, të mos merrte më pjesë. Pas largimit të socialistëve, Salianji tha se “ata do të kthehen me një këmbë, ashtu siç kanë bërë edhe në raste të tjera”.

"Të frikësuar nga kërkesat për informacion, ikën si djalli temjanit nga frika se institucionet do japin llogari, ata do japin llogari një më një. PS nëse do të bllokojë punën, e dija dhe e dinim që në fillim që këtë do bëjnë, do kthehen me një këmbë, që hyjnë me këmbët e tyre dhe dalin me mend e të tjerëve pas telefonatave, është qartësisht e dukshme se kush ka gjëra për të fshehura. Sot ishte në rend dite miratimi për kërkesat për informacion për institucionet, miratuar nga ekspertët”- u shpreh Salianji.

Po ashtu, në rendin e ditës të mbledhjes së sotme ishte miratimi i kërkesave për informacion të propozuara nga ekspertët e propozuar nga maxhoranca. Por për shkak të përplasjeve, mbledhja u ndërpre. A do të ketë më takime të tjera; kjo nuk dihet!/ZËRI

Poll

MOS HUMB