TIRANË- Kryeministri Edi Rama vuri në dukje se qeveria e tij ka qenë e para që hartoi ligjin për zonat e mbrojtura në Shqipëri, duke iu referuar debateve për investimin në Zvërnec.
Rama rikujtoi se deri në vitin 2017 vendi nuk kishte një kuadër ligjor për zonat e mbrojtura. Ai theksoi se më pas janë krijuar 12 parqe kombëtare, 11 peizazhe të mbrojtura dhe rreth 700 monumente natyre, ndërsa një e katërta e territorit shqiptar sot është e mbrojtur.
“Flitet për zonat e mbrojtura. Ajo që nuk është aspak e mirë është fakti që ngatërrohen gjërat. Ligjin e parë për zonat e mbrojtura e bëri qeveria e PS-së në mandatin tonë të parë. Deri në vitin 2017, Shqipëria nuk kishte ligj për zonat e mbrojtura. Ishim ne që, gjatë mandatit të dytë dhe të tretë, e kemi çuar në 25% sipërfaqen e zonave të mbrojtura të Republikës së Shqipërisë. Një e katërta e territorit është zonë e mbrojtur. Ishim ne që krijuam Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Shqipëria është i vetmi vend i rajonit me administratë në të gjithë territorin për zonat e mbrojtura, me 12 parqe kombëtare, 11 peizazhe të mbrojtura dhe 700 monumente natyre. Ishim ne që bllokuam lejet e dhëna mbi shtretërit e lumenjve tanë, ku vetëm mbi lumin magjik të Valbonës kemi ndaluar ndërtimin e 9 hidrocentraleve.
Për shpalljen e Vjosës park kombëtar, bashkë me degët e veta, në një sipërfaqe prej plot 12 mijë hektarësh, kemi anuluar 40 kontrata hidrocentralesh. Në Greqinë fqinje dhe mike, ku ndodhen 17 kilometrat e para të Vjosës, nuk i është dhënë lumit të fundit të egër në Europë mbrojtja që i kemi dhënë ne”, tha Rama./ZËRI