
TIRANË- Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, është mbledhur edhe sot online, ku janë thirrur në dëgjesë të gjithë përfaqësuesit e partive të vogla. Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së, ka marrë pjesë në këtë mbledhje, ndryshe nga qëndrimet e një pjese të opozitës, ku ka dhënë dhe propozimet e tij për Reformën. Edhe pse tha se nuk kishte shumë besim se kërkesat e LZHK do të merreshin parasysh, Shehi propozoi sistemin propocional kombëtar, listat e hapura plotësisht, votimin elektronik, si dhe mundësimin e votës për emigrantët.
“Unë do ti bie shkurt, unë jam për katër pikat që i kam dorëzuar në parlament, nuk kam shumë entuziazëm te ky komision. Katër pikat janë ato që mendojmë ne si LZHK, mendimi im bazë është ky, që qytetarët shqiptarë të kenë një të drejtë propocionale. Ne jemi për propocional kombëtar, të bëhen 3-4 zona të mëdha elektorale, që ligji të punojë njësoj kudo. Deformimi që del nga vota është shumë i madh, një parti e vogël e ka të pamundur që të marrë vota. Ky është një ndryshim rrënjësor që bën diferencën. Lista të hapet deri në fund, të hapen listat, dhe të hiqet herësi që është lënë nga Gjykata Kushtetuese. Votimi të bëhet elektronik, ka njerëz që kanë dyshime, është e vërtetë që mund të ketë probleme, por probleme kemi pasur dhe me komisionerët. Unë them që historia me komisionerët duhet të marrë fund njëherë e mirë.
Të bëhet në Tiranë dhe në disa qytete të tjera, kanë shkuar para publike sa të duash, dhe për demokracinë të bëhen këto shpenzime. Të hiqet dorë nga zullumnaja e këtyre komisionerëve, që më pas duan punë dhe shpërblime. Po luajnë milionat përmes elektronikës, dhe për votat paskan dyshime. Unë jam për të votuar emigrantët, sistemi duhet të ketë kurajon që të hyjë në këto rrugë.
Të bëhet një komision qendror këtu dhe më pas të bëhen të gjithë mekanizmat. Herën e parë ndoshta do të votojnë 70-80 mijë persona, duhet ti jepet mundësia që të votojnë, pasi emigracioni është një dallgë që po vazhdojnë. Këto janë pikat që kam unë, në rrafshin politik, si deputet dhe si kryetar partie, këtë do ta propozoja në komision, po të isha anëtar. Ky është një ndryshim rrënjësor, duhet të rikthejmë te qytetarët besimin për votën. Nëse nuk ndryshojmë sistemin, Shqipëria nuk është as Kina, as Spanja. Fatkeqësisht jemi duke u bërë një vend gjithmonë dhe më i vogël”, u shpreh Shehi.
Komisioni i Posaçëm u mblodh online në datën 9 Shkurt, ku u dëgjuan propozimet e disa nga organizatat e Shoqërisë Civile që kanë fushë të përgjegjësisë së tyre çështjet zgjedhore.
Shumica e përfaqësuesve të organizatave, propozuan krijimin e kushteve për votimin e qytetarëve me banim jashtë vendit, listat e hapura, votimin elektronik në zgjedhjet e ardhshme si dhe plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
Organizatat kërkuan mospërfshirjen e punonjësve të administratës në fushata elektorale, duke theksuar se ligji duhet të përcaktojë qartë se kur një punonjës i administratës mund të përfshihet në aktivitete të fushatave elektorale./ZËRI