
TIRANË- Bllokimet e punimeve të Komisioneve Parlamentare dhe seancave plenare nuk po e ndihmojnë opozitën të çojë në fund “kauzat” e saj. Java nisi plot tensione mes demokratëve dhe socialistëve, ku pas bllokimit të punimeve të Kuvendit, opozita radikalizoi "aksionin", por më shumë se një aksion i mirëfilltë ngjan me një show, të parë dhe vite më parë por… me aktorë të rinj.
Ndërkohë që opozita ka vendosur që të bllokojë punimet e rregullta të Kuvendit, maxhoranca nga ana tjetër, duket se po vazhdon e qetë “punën”. Zhvillimi i mbledhjeve online për opozitën është i paligjshëm por ndërkohë që ata kacavirren dritareve të Kuvendit, e majta qeverisëse me forcën e kartonëve po miraton një e nga një projektligjet me rëndësi për vitin 2024, përfshirë buxhetin e vitit që vjen dhe paketën fiskale.
Më 6 nëntor, e hëna nisi me përplasje. Deputetët e përjashtuar nga Kuvendi, tentuan të thyejnë kordonin e gardës që ishte vendosur për të mos i lejuar të hyjnë në Kryesinë e Kuvendit, atje ku Partia Socialiste e vetme ishte duke zhvilluar diskutime në Komisionet Parlamentare, tërësisht e vetme. Në mes të një bllokade dhe pas përplasjeve verbale, deputetët demokratë gjetën zgjidhjen. Hyrja përmes dritareve të Kuvendit. Në një kohë që opozita duket e ndarë në disa copëza që në publik duken gjithnjë e më të dobëta, disa deputetë vendosën të lënë pas hatërmbetjet e shkuara dhe t'i jepnin dorën njëri-tjetrit për tu ngjitur në dritaren, që dukej e “pushtuar’’.
Kërcimet e Flamur Nokës mbi kangjellat e Kuvendit apo hedhjet e koelgëve të tij në dritare janë skena që pavarësisht qëllimit nuk e sjell Partinë Demokratike në pushtet. Sali Berisha, i cili i printe “ushtrisë” së deputetëve, disa të bashkuar së fundmi në grupin e tij hyri nga dera kryesore dhe në pamundësi të qasjes në media nga ambientet e brendshme vendosi të futej ‘’LIVE” në Facebook derisa doli në dritaren nga u fut grupi i tij dhe mbajti fjalën e tij, që ishte një riciklim i thënieve të vjetra.
Akuzat dhe kundërakuzat të ndërsjellta mes palëve nuk çojnë “ujë në burimin e qytetarëve”, ky ishte përfundimi i vetëm.
I njëjti përfundim ishte edhe këtë të enjte. Kryeministri Edi Rama ndodhej në Francë dhe për vetëm 18 minuta, ligjvënësit ushtruan detyrën e tyre parlamentare, mes kaosit dhe karrigeve të përmbysura. Më shumë se karriget, e përmbysur duket jeta parlamentare e një vendi. Tymi që mbuloi sallën nuk i pengoi deputetët e PS të votonin në parim projektligjet dhe marrëveshjet e rendit të ditës dhe më pas të largoheshin.
Por a mund të quhet ky një Kuvend normal? Partia Socialiste duket e vendosur se faji nuk është i tyre dhe se dhunën nuk e kanë sjellë ata. Për mungesën e opozitës, sërish nuk janë të shqetësuar. Më shumë se për ruajtjen e të drejtave kushtetuese të opozitës, e enjta konfirmoi sinkronizimin opozitar Meta- Berisha. Kreu i PL tashmë është i ftuari i radhës në SPAK dhe kjo solli edhe aktivizimin e deputetëve të PL, që deri të enjten nuk ishin parë në asnjë nga shfaqjet kaotike të opozitës në Kuvend.
Por a ka më një dalje nga ky ngërç parlamentar që shihet pa kthim? Një skenar është greva e urisë e përdorur dikur nga socialistët dhe sot përdoret si argument nga opozita e Sali Berishës. Por sërish, rezultati është i njëjti. Së paku që prej vitit 2019, kur Lulzim Basha vendosi të digjte mandatet e deputetëve të opozitës si formë revolte dhe kërcënimi ndaj maxhorancës, parlamenti duket gjithnjë e më pafuqishëm, ndërsa qeveria gjithnjë e më e pakontrolluar./Zëri.ai