TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga lirimi i hapësirave në plazhin në Gjirin e Lalëzit, teksa ka paralajmëruar sërish për vijimin e aksioninit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ironizon të gjitha ata që sipas tij, duan të sfidojnë shtetin. Rama thekson se ky është vetëm hapi i parë i një qasjeje të re ndaj bregdetit, që do të jetë në shërbim të qytetarëve.
"A ia vlen të humbasësh gjithë këta shezllonë e çadra për të sfiduar shtetin?!
Nuk e di, këta e dinë - në Lalëz këta e gdhinë si zaptues me qindra çadra dhe e ngrysën si të përzënë me duar në xhepa - po kthesa e këtij viti me plazhet publike është vetëm hapi i parë i një qasjeje të re ndaj buzës së detit, e cila është e të gjithë shqiptarëve jo vetëm e disa tregtarëve", shkruan Rama.
Aksioni i lirimit të hapësirave publike ka nisur pothuajse në të gjithë vendin me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Fenomeni “tokë e xanun”, sipas Ramës, nuk do të ekzistojnë më. Lidhur me këtë, ai ka bërë thirrje për të gjitha bizneset apo individët të cilët kanë zaptuar padrejtësisht hapësirat publike, t’i lirojnë menjëherë. Sakaq, kryeministri ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin kushdo që e kundërshton aksionin./ZËRI