Politikë

Bllokuan komisionin për Zgjedhoren, Bylykbashi: Ka pazar Rama-Basha

E.K
Bllokuan komisionin për Zgjedhoren, Bylykbashi: Ka pazar Rama-Basha

TIRANË- Deputeti i Rithemelimit, Oerd Bylykbashi, ka folur pas bllokimit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, ku sipas tij opozita kërkon vendosjen e rregullave të barabarta dhe të ndershme. Mbledhja e sotme dështoi për shkak se deputetët e Rithemelimit bllokuan sallën, duke mos lejuar futjen e deputetëve socialist.

Pjesë nga deklarata e Bylykbashit:

“Jeni të gjithë dëshmitarë të vendimit të qartë që ka marrë Edi Rama që Komisionin e Reformës ta shkatërrojë. Të shkatërrojë çdo mundësi që parlamenti i Shqipërisë, në përputhje me rekomandimet e ODIHR, në përputhje me traditën më shumë se 20-vjeçare, të bëjë një reformë zgjedhore me konsensus.

E ka deklaruar në dhjetor se do të kërkojë numra në parlament, jo konsensus. E ka deklaruar në dhjetor që historia e konsensusit tashmë nuk vlen për të. Ai po kërkon numra, po kërkon pazar në parlament, vetëm vetëm e vetëm që të miratojë rregullat që do ai për zgjedhje, që zgjedhjet të jenë si ato të 14 Majit 2023, si ato të 2021-shit, si ato të 2017-ës, si ato të 2019-ës.

Ajo që kërkon opozita është vendosja e rregullave të ndershme dhe të barabarta, të mjaftueshme, jo të pamjaftueshme si ato të viti 2020, që të pengojnë shtetin të futet në zgjedhje; që shteti të ndahet nga partia në pushtet; që të ndalohen kriminelët të blejnë vota; që të ndëshkohen kur të blejnë vota; që të ndalohet sistemi kriminal i patronazhimit; të miratohen rregulla që bëjnë vepër penale, të qartë, kush guxon dhe ndikon mbi sekretin dhe lirinë e votës të qytetarëve, siç thotë OSBE/ODIHR, i kërcënuar, duhet të përballet me drejtësinë; të shtrëngojmë rregulla më të forta që SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm mos t’i shmangen detyrave që kanë tashmë me ligj.

Të gjitha këto Edi Rama nuk i do sepse kërkon një reformë zgjedhore që ta mbyllë me atë që ka bërë pazar, me Lulzim Bashën. Nuk mundet në Komisionin e Reformës Zgjedhore që ta përcaktojë Edi Rama se kush është opozita."

/ZËRI

 

Poll

MOS HUMB