Politikë

Berisha u drejtohet të rinjve para arrestit: Ngrihuni! Rama më vërsuli SPAK-un

Berisha sulmoi Ramën se ka marrë pushtetin e çdo institucioni dhe drejtësinë, duke e krahasuar SPAK-un me Sigurimin e Shtetit.

f.t
Berisha u drejtohet të rinjve para arrestit: Ngrihuni! Rama më
Sali Berisha

TIRANË-Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur disa të rinj dhe iu ka mbajtur një fjalim të gjatë, në pritje të vendimit për arrestin e tij. Berisha deklaroi përsëri se procesi ndaj tij është pa asnjë fakt, dokument apo firmë.

Ai gjithashtu sulmoi Ramën se ka marrë pushtetin e çdo institucioni dhe drejtësinë, duke e krahasuar SPAK-un me Sigurimin e Shtetit.

Berisha: Për të kuptuar ngjashmërinë mes diktaturës së sotme dhe diktaturës së djeshme, se ju jeni fatlumë, asnjëri prej jush nuk e jetoi atë diktaturë dhe është fat i madh. Por problemi është se sot jemi prapë në diktaturë dhe kjo kërkon vetëdijen tuaj të plotë.  Përpara ne kishim Sigurimin e Shtetit, i cili fajësonte njerëz pa faj, me një qëllim të vetëm, që të ushtronte terror në shoqëri. Sot kemi Skapin.

Çfarë ishte Sigurimi? Sigurimi përbëhej nga kriminelë, nga torturues, nga vrasës, nga përdhunues. Përbëhej nga një vulg njerëzor ndaj dhe ata ishin të aftë të zbatonin çdo urdhër.

Por çfarë është Skapi sot? Ngjason si dy pika uji me Sigurimin e djeshëm. Skapi sot është një organizatë e mirëfilltë kriminale që rëndom paraqitet si një risi. Po pse them se është organizatë kriminale? Sepse aty janë rekrutuar prokurorë, përfaqësues të bandave më të rrezikshme të Shqipërisë. Skapi është organizatë kriminale sepse vrasësi që vrau jashtë çdo lloj tradite njerëzore në gjumë të fejuarën e tij 15-vjecare, në vend që të dënohej me dënim përjetë, doli nga burgu sikur nuk ka kryer krim. Skapi tha: jo, këta nuk janë organizatë kriminale. E dërguan në Shkodër, ku shoku i tyre kishte marrë milionat dhe ata dolën të lirë.

Ish-kryeministri gjithashtu u bëri thirrje të rinjve të ngrihen kundër diktaturës dhe Edi Ramës.

Sot Shqipëria pret heronj! Ju garantoj se ajo i pret nga ju. Këta heronj, si gjithmonë kanë qenë të rinjtë. Ka qenë Azem Hajdari, heroi i kohës së tij, që guxoi, doli me 8 dhjetor në shesh. Diku kam shkruar sepse u ndodha përballë tyre dhe çfarë ndjenjash më ngjalli? Aty pashë heronj sa kurrë në jetën time, sa në asnjë film, sa në asnjë roman. Kjo ishte e vërteta. Se ata kishin dalë në sheshin e mejdanit, u përballën dhe fituan. Studentët nisën një betejë të shkëlqyer në vitin 2018. Tani unë i pyes ata, u pyes ju dhe i ftoj të pyesni secilin prej tyre.

Berisha: Çfarë fituat nga ajo lëvizje? Në qoftë se nga lëvizja e viteve ‘90, studentët çelën një epokë për kombin dhe vendin, çfarë u fitua nga lëvizja e vitit 2018? Secili student sot paguan një tarifë më të shtrenjtë se më përpara, secili prej jush sot paguan një qira më të shtrenjtë se ajo që paguanit, secili nga ju sot shpenzon shumë më tepër për një vit shkollor sesa bashkëmoshatarët tuaj në Vjenë, Paris, Romë, prindërit e të cilëve janë pakrahasimisht shumë më të pasur se prindërit tuaj. Pra, ajo lëvizje u tradhtua. Ato premtime u përdorën për mashtrim. Çfarë ndodhi me studentët e mjekësisë? Një urdhër i marrë hua nga Maduro i Venezuelës.

Të gjitha këto janë një kushtrim për ju. Të gjitha këto janë një shans i madh për ju. O sot o kurrë duhet të ngrihemi kundër kësaj diktaturë. Të gjitha këto kërkojnë nga ju të ndjeheni luftëtarë lirie, misionarë, në një mision hyjnor dhe njerëzor. sepse liritë dhe të drejtat e individit janë sa njerëzorë, aq edhe hyjnore. Sot, më shumë se kurrë kërkohet që të jeni ju protagonistët kryesorë në këtë betejë. Dhe dy gjëra do u them. Edi Rama kontrollon të gjitha pushtetet dhe në pamje të parë është i stërfuqishëm. Ju garantoj se ai është një kalbësirë, është një statujë e kalbur që nuk pret asgjë tjetër për t’u rrëzuar përveç vrullit, guximit, mosbindjes civile.

Ndaj ju ftoj ju, ftoj të gjithë të rinjtë shqiptarë në emër të dinjitetit tuaj, asnjëri të mos mendojë se ka dinjitet në rast se të drejtat kushtetuese shkelmohen. Dinjiteti i pëlqen çdo njeriu, por garanti i dinjitetit të tij është Kushtetuta, e cila përcakton respektin e dinjitetit si shtyllë themelore të saj. Asgjë nuk ka liria më thelbësore sesa dinjiteti. Ndaj dhe ne duhet të mendojmë për këtë. Në qoftë se të rinjtë tanë vendosin të realizojnë ëndrrën e tyre, të rikthejnë shpresën për shqiptarët, Edi Rama do i ketë kohërat e numëruara. Dhe unë jam i bindur se ju do i jipni atij shumë shpejt përgjigjen e merituar.

Ndërkohë ditën e sotme nisi seanca për dhënien e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha. Berisha nuk u paraqit në seancë dhe në vend të tij u paraqitën avokatët, të cilë kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me pretendimin se ajo është në konflikt interesi në rastin e tij. Seanca është shtyrë për paraditen e nesërme për shkak se avokatët e Berishës kërkuan më shumë kohë që të njiheshin me dosjen./ZËRI

Poll

MOS HUMB