
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar sot Asamblenë e Partisë Socialiste. Teksa fliste si çdo natë nga dritarja, Berisha tha se kryeministri Edi Rama është njësoj si ish-diktatori Enver Hoxha. Sipas tij, Asambleja e sotme i ngjante mbledhjeve linçuese që bënte Hoxha. Ai shtoi gjithashtu se ky takim kishte treguar se akuzat e Arben Ahmetaj ndaj Edi Ramës rezultuan 100% të vërteta pasi kryeministri nuk iu përgjigj asnjë nga pyetjeve të gazetarëve pas 5 orë mbledhje. Në fund, iu bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestën e 20 shkurtit.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Ftoj qytetarët shqiptarë kudo që janë të ndalen për një moment në dy ngjarjet politike të ditës. Të ndalen në ngjarjen e paradites. Në asamblenë e kalbësirës që quhet Rilindje. Të ndalen për një moment hap pas hapi, të analizojnë këtë asamble, e cila do të shkruhet me germat më të zeza në histori si asambleja film tipike e një organizate kriminale. Edi Rama tek hynte në asamble, në krah kishte Charles McGonigal. Para tij ecte Arben Ahmetaj, gazetarja e pyet, e len pa gojë e len pa mend, nxihet dhe ikën. Ndalni pak. Mos harroni këtë asamble. Cilat qenë dy anët e saj të dashur qytetarë. Për ju, për shqiptarët, socialistët, papartitë, asambleja ishte një heshtje varri, sepse Edi Rama përdori ndaj qytetarëve shqiptarë, kodin e omertas, kodin e mafias, sipas të cilës anëtarët janë të betuar të mos çelin gojën, se përndryshe i pret plumbi pas veshit. Asgjë nuk pipëtin. Nuk kishte më fjalime për inteligjencën artificiale, as për hidrogjenin e Bulqizës, apo metanin e Shpiragut. Jo, jo, kishte omerta, omerta, omerta. Në 5 orë mbledhje, qytetarët shqiptarë mësuan se akuzat e Arben Ahmetaj ishin 100% të vërteta. Se ajo heshtje vdekësore, vetëm sa konfirmoi një për një ato akuza të tmerrshme. Arben Ahmetaj në të vërtetë në intervistën e tij certifikoi të gjithë vërtetësinë e akuzave të opozitës, se Edi Rama është autori kryesor i djegësave në Shqipëri. Se Erion Veliaj është pronari i djegësit të Tiranës. Arben Ahmetaj dëshmoi para shqiptarëve se vetingu është një akt fund e krye politik, se drejtohet me mesazhe dhe dokumente false dhe se u bë me gjah shtrigash. Ai u tha shqiptarëve se kreu i ekzekutivit ka kryer veprime të llahtarshme, ndaj dhe omerta, sepse të llahtarshme për çdo njeri normal janë aktet e vrasjes, pengmarrjes, detyrimit me forcën e armëve për ti kryer një akt kriminal tjetrit. Në rastin e Ramës, me avion privat në dispozicion jashtë çdo kontrolli, janë dhe mund të jenë baulet me tonelata drogë, pasi siç thotë Ahmetaj është arkitekti i kanabizimit të Shqipërisë, ose baulet me narkoeuro, ose kontot bankare të ofshore. Kjo ishte asambleja për qytetarët. Tjetër ishte asambleja, për asamblejistë Edi Rama përdori në mënyrë identike metodat e Enver Hoxhës ndaj armiqve të brendshëm.Për asamblejistë Edi Rama vendosi kontrollin e plotë dhe total në sallë, saqë edhe për nevoja personale, Gramozi u detyrua ti dërgonte dy letra për ti marrë leje. Terrorit nuk i shpëtoi as Olta Xhaçka dhe të tjerë indirekt. Para disa ditësh një polic, vagabond me mbiemrin Bistri, kishte lidhur një linjë të paligjshme përgjimi me të cilën spiunonte, ministrat, deputetët, drejtorët dhe me radhë. Dhe gjasme Bistri punonte për Belindën. Po ja pra, Bistri u kap linja u gjet, Belindës nuk i ndodhi asgjë, sepse kishte vepruar me urdhërin e Edi Ramës. Ndaj dhe në 20 shkurt ftoj çdo shqiptar të bashkohet me qëndrestarët e rrugës së Shpresës, të bashkohet me ju për fitoren e pluralizmin, fitoren e demokracisë kundër mafias, diktaturës, për fitoren e Shqipërisë.