
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur ashpër deklaratave të deputetit gjerman të CDU-CSU-së, Gunther Krichbaum, i cili tha sot se akuzat e SPAK ndaj liderit të demokratëve janë të rënda, dhe se imuniteti i deputetit nuk duhet të përdoret si mburojë. Berisha paralajmëroi se me deputetin gjerman do të përballet në Gjykatë, pasi sipas tij është e papranueshme ndërhyrja në punët e brendshme të një partie politike. Sipas Berishës deklaratat dhe vizita e Krichbaum në Shqipëri bëhet për interesa të ngushta, e madje hodhi akuza se ai është i paguar, por pa specifikuar se nga kush!
“Deputeti Krichbaum është paraqitur sot si turpi i deputetit, si turpi i institucionit që përfaqëson. Deputeti Krichbaum, në një mashtrim publik para shqiptarëve, ka mbrojtur veprimin pa autorizimin e parlamentit, të SKAP-it të partisë dhe gjykatëses së saj.
Ky është një akt i padenjë, ky është mashtrim i një njeriu i paguar apo i papaguar, por që turpëron veten në radhë të parë. Ky mendon se Shqipëria është e vendosur diku jashtë globit dhe nuk funksionin as interneti dhe asgjë prej gjëje dhe ku udhëtari mund të vijë dhe të lëshojë çdo shpifje dhe çdo trillim.
Mua më vjen shumë keq që them këto fjalë, por e siguroj presidentin e Bundestagut, siguroj miqtë e mi në Bundestag se ruaj respektin më të madh për atë institucion, për kontributin e atij institucioni. Por Gunther Krichbaum i ka këto për interesat e tij personale. Por unë e garantoj Gunther Krichbaum se do i jap mundësi në sallën e gjyqit të justifikojë qëndrimin e tij amoral.
E para njëherë, ai nuk mund të ndërhyjë në çështjet e brendshme të një partie. E dyta, cilido që mund të ndikohet sadopak nga trillimi i deputetit, e them me dhimbje këtë fjalë, se kur ligji bazë i Gjermanisë, ka një nen i cili quhet neni 46, i cili shkruan se asnjë njeri, as arrestim dhe as kufizim lirie nuk mund të ndodhë ndaj një deputeti, pa autorizimin e parlamentit.
I them Gunther Krichbaum, merr po deshe, meqenëse në aparancë paraqitesh si luftëtar i antikorrupsionit, provojë iniciativën e Sali Berishës të vitit 2012. Kjo prokurori ka nisur hetimin për Sali Berishën dhe ka mbajtur hetim për 3 vite, pa kërkuar asnjë leje nga parlamenti sepse Kushtetuta e hoqi detyrimin e prokurorisë për të nisur hetimin pas autorizimit të parlamentit.
Por çfarë thotë Kushtetuta gjermane vetëm për hetimin? Jo për lëvizjen. Zoti Krichbaum, që vjen dhe flet për ligjet naziste, duke aluduar, je një gënjeshtar, je një gënjeshtar. Nuk janë naziste ato, janë ligji bazë demokratik i Gjermanisë, mbi të cilën vendi yt, është sot një model në respektimin e të drejtave të njeriut dhe funksionimin e shtetit ligjor.
Ky ligj ka të stipuluar, jo vetëm për lëvizjet, por edhe fillimin e hetimit. Fillimin e hetimit nuk mund ta bëjë prokuroria pa marrë lejen e kryetarit të parlamentit. Po ky ligj bazë, thotë në nenin 46 se kryetari i parlamentit jep lejen, por hetimi fillon pas 48 orësh. Ndërkohë kryetari i parlamentit informon kryetarin e komisionit për autorizimin që ka dhënë. Dhe ky i fundit informon deputetin.
Këta vijnë këtu dhe i shohin shqiptarët si qenie jashtëtokësore dhe besojnë së mund t’i mashtrojnë me çdo gjë. Zoti Krichbaum, më vjen keq por të njoftoj sot se kam filluar që sot konsultimet me ekspertë ligjorë dhe u garantoj se do bëj çdo përpjekje për një proces të ndershëm ligjor kundër teje. Jo kundër Bundestagut, Bundestagu është një institucion që e dua shumë dhe e respektoj shumë.
Ju kam njohur edhe juve, por lidhjet e tua me Lul Bashën nuk duhet t’i përdorësh për të mashtruar, për të dezinformuar një popull të tërë", tha mes të tjerave Berisha në një lidhje live me ndjekësit në rrjetet sociale.
Deputeti i CDU-SCU bëri sot akuza të forta në drejtim të Berishës, teksa deklaroi prerë se nuk do të takojë asnjë politikan që është vendosur nën akuzë nga drejtësia, apo në rastin konkret është shpallur non grata dhe nga SHBA-të. Ai tha se SPAK duhet mbështetur në hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, ndërkohë që i cilësoi akuzat për Berishën të rënda.
/Zëri.ai