Politikë

Protesta/ Berisha: Fëmijët e Sali Berishës janë të të gjithë shqiptarëve (VIDEO)

Sali Berisha tha se ka patur përpjekje të vazhdueshme për asgjësimin e opozitës në vend, por ka shtuar se asgjë nuk ka shkuar sipas planit.

k.m.
Protesta/ Berisha: Fëmijët e Sali Berishës janë të
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shfaqur në protestën e opozitës nëpërmjet një video mesazhi, nga ku edhe iu drejtua demokratëve. Në fjalën e tij, Berisha tha se ka patur përpjekje të vazhdueshme për asgjësimin e opozitës në vend, por ka shtuar se asgjë nuk ka shkuar sipas planit. Sipas tij, opozita tashmë është më e bashkuar së kurrë. Po ashtu, numri një i opozitës tha se ai nuk po lufton për fëmijët e tij, por për pluralizmin.

"Nesër do ju thonë se po luftoni për fëmijët e Berishës, kur në fakt njeriu më naiv e kupton se familja ime është goditur pikërisht se unë zgjodha të luftoj për shqiptarët. Dhe harrojnë mjeranët, se fëmijët e Sali Berishës janë fëmijët e shqiptarit. Ç’është e vërteta miq, Sali Berisha po lufton për një nga fëmijët e tij, por kësaj radhe jo për fëmijët biologjikë. Sot Sali Berisha po lufton për fëmijën e tij, fëmijën që së bashku e sollëm në jetë 33 vite më parë, pluralizmin politik,"-tha Berisha ndër të tjera në fjalën e tij. 

PJESË NGA FJALA E PLOTË E BERISHËS:

Le ta pranojmë miq. Fjala që unë po mbaj tani para jush ishte llogaritur që të mos mbahej. Ky uragan madhështor që ka pushtuar Tiranën, ishte llogaritur që të mos ndodhte. Bashkimi ynë në diversitet ishte llogaritur të mos ndodhte. Dhe Shqipëria ishte llogaritur që sot, në vitin 2024, të ishte një vend pa opozitë. Jo një kështjellë e socializmit si dikur, por një narkoshtet pa opozitë në brigjet e kaltërta të Adriatikut. Zonja dhe zotërinj e nisën kundër nesh bashkë këtë betejë dy vite me parë me dy fjalë famëzeza që përdorën si plumba kundër opozitës shqiptare, non-grata, një term i përdorur në të njëjtën mënyrë si dikur, armik i popullit. Menduan se do na asgjësonin. Asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument. Por gabuan! Sot pas tre vitesh hetime intensive në Shqipëri dhe kudo në botë, nuk kanë gjetur asnjë provë, asnjë fakt, apo dokument të provojë akuzën e tyre të rreme. Kurse vetëm katër ditë më parë, gjykata e Uashingtonit dënoi me 3 vjet burg McGonigalin, një lobist i korruptuar shpalljes time non-grata nga Edi Rama. Fill pas kësaj na grabitën vulën e partisë, ndonëse dy palë zgjedhje, tre votëbesime ju kishit shprehur vullnetin tuaj. E ndaluan emrin e Sali Berishës në fletën e votimit. Na mohuan financat, na mohuan komisionerët në qendrat e votimit. Qeveria, mediat më të fuqishme, diplomatë dhe ambasadorë të korruptuar nga narkoqeveria u frynë qëllimisht zjarrit të përçarjes dhe konfliktit midis nesh. Dhe së fundmi, njësoj si në Rusinë e Putinit, lideri i opozitës u arrestua si person nën hetim dhe u tentua t’i ndalohej fjala e lirë. Të gjitha këto vetëm e vetëm se ai, në mbrojtje të interesit publik dhe kombëtar, denoncoi fuqishëm korrupsionin qeveritar dhe atë ndërkombëtar. Denoncoi korrupsionin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij si armikun më të egër të qenies së qytetarëve shqiptarë. Të gjitha këto vetëm e vetëm pse ai mbrojti i palëkundur interesin e kombit shqiptar, denoncoi projektet antishqiptare, por edhe antieuropiane, serbo-ruse, të Aleksandër Vuçiçit, argatit të tij Edi Rama, të mbështetura fuqimisht nga Sergej Lavrov, por jo më pak edhe nga Aleksandër Soros. Dhe në fakt, për të gjitha këto sot, ne nuk duhej të ekzistonim politikisht. Por ne fituam miq! E gjithë kjo luftë kundër nesh u bë që sot ne të ishim të përçarë, të ishim të shtrirë përtokë, që sot ne të mos ishim këtu. Që Shqipëria sot të mos kishte opozitë. Por ne realizuam të pamundurën, ne realizuam atë që nuk e parashikonte asnjë njeri. Asnjë opozitë në planet nuk do ekzistonte pas sulmeve barbare që u bënë ndaj ndesh. Siç nuk ekziston opozitë në Rusi, Bjellorusi, Iran apo Uganda ku janë marrë masa të të njëjta si këto kundër nesh. Ndaj dhe ju vini sot në këtë shesh si heronj. Po, po. Si heronj të të vërtetës, heronj të guximit dhe dinjitetit njerëzor. heronj të pluralizmit, heronj të antikorrupsionit, heronj të atdhetarizmit. Ju vini si heronj të betejave të fituara. Nder paçi gjithmonë!Të dashur miq, këto dy vite ju zgjodhët të vështirën, zgjodhët të pamundurën, zgjodhët Davidin në betejën me Golian, vetëm e vetëm se pse ju besoni te e vërteta. Ju keni 10 vite në opozitë të pamerituar, topitëse, por edhe besëprerë. Ju keni fëmijë, ju keni 1001 derte dhe halle, me punë dhe pa punë, me para dhe pa para, të sëmurë, me ilaçe dhe pa ilaçe. Të gjithë ju në një moment kritik për kombin, ju zgjodhët të mbronit të vërtetën, bindjet e ndershme tuajat. Në një skenar të Edi Ramës dhe mafies ndërkombëtare, që synonte të asgjësonte opozitën e vërtetë, ju vendosët të sakrifikonit interesat personale dhe të luftoni me gjoks, ballëlartë për të vërtetën. Të bindur se kjo ishte rruga për të mbrojtur dinjitetin tuaj, për të mbrojtur opozitën, sovranitetin, pluralizmin, interesin kombëtar, të ardhmen e Shqipërisë. Ju jeni heronjtë e vërtetë. Nderim paçi gjithmonë. Shqipërinë e ndërtojnë shqiptarët dhe jo tradhtarët! Miqtë e mi, për ju Shqipëria moniste është e shkuara e zezë e saj, kurse korrupsioni i qeverisë është armiku më i pamëshirë, më i rrezikshëm për ju dhe për të gjithë shqiptarët. Dhe siç është faktuar tashmë, korrupsioni i Edi Ramës është rrezik real edhe për miqtë dhe partnerët tanë kudo në botë. Të dashur miq, duhet të kuptoni se sot është një ditë e shënuar për PD-në dhe jo vetëm. Sot është një ditë e shënuar për demokracinë. Sot është një ditë e shënuar për fatin e Shqipërisë. Ndaj e nisa fjalën time duke thënë se ky 20 shkurt është edhe më i rëndësishëm se 20 shkurti i rrëzimit të shtatores së diktatorit. Sepse ne inaugurojmë sot misionin tonë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, betejën pa kthim të mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve. Betejën për çlirimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narkodiktatura e shëmtuar e Edi Ramës. Ne inaugurojmë betejën popullore pa kthim për rikthimin e votës së lirë dhe çeljen e dyerve të integrimit evropian të Shqipërisë, të mbyllura nga regjimi i Tiranës. Ne në këtë protestë uragan përcjellim mesazhin për botën se populli opozitar do i rezervojë diktaturës së dytë, dmth narkoshtetin të Edi Ramës, fatin që meriton, fatin që i rezervuam diktaturës komuniste 33 vite më parë. Të dashur miq, ju jeni heronj të vërtetë të pluralizmit, sepse në ditët më të zeza për opozitën shqiptare, ju nuk u dorëzuat. Pasi u vodhën vulën, logon e partisë, ju ndaluan emrin e kryetarit të partisë në fletën e votimit, 600 mijë prej jush, nxorët përpara gjokset shantazhit dhe presionit të narkoregjimit, por edhe mafies ndërkombëtare, dhe thanë jemi të pamposhtur. Nderimi paçin gjithmonë mbështetësit tonë!Miq, përfitoj nga atmosfera elektrizuese për t’i kujtuar çdo shqiptari se pse ne jemi në këtë shesh, pse ne po luftojmë? Për këtë duhet t’u them se pas këtij uragani lemeritës dhe të frikshëm për aleancën e qelbësirave, megafonët e tyre do të ushtojnë në të katër anët, të dezinformojnë, të shpifin, të shprehen se ju po luftoni për hallet e Sali Berishës. Kur në fakt edhe njeriu me naiv e kupton se të ashtuquajturat halle të Berishës, janë vetëm sulme politike ndaj meje dhe ndaj jush. Cilat halle ka Berisha? Ato halle që u shfaqën 10 vite pas ishte pa asnjë pushtet? Ato halle që unë denoncova projektet e serbomadhisë dhe rusomadhisë në rajon? Ato halle që unë denoncova çdo ditë vjedhjet më të mëdha të Edi Ramës? Ato fakte që unë denoncova lidhjet e tmerrshme të pushtetit me krimin. Ato fakte që nisën çuditërisht që unë kundërshtova bashkëqeverisjen e PD me aleancën e qeblësirave, me Rilindjen. Jo miq, Sali Berisha nuk ka halle. Por Sali Berisha është halli më i madh i Edi Ramës dhe miqve të tij, Vuciç, Xhorxh dhe Aleksit Soros dhe mafies ndërkombëtare. Prandaj dhe jam sulmuar politikisht. Sepse sot unë luftoj njëlloj si ju për opozitën e vërtetë, për dinjitetin e shqiptarëve. Luftoj kundër korrupsionit dhe për interesin kombëtar. Nesër do ju thonë se po luftoni për fëmijët e Berishës, kur në fakt njeriu më naiv e kupton se familja ime është goditur pikërisht se unë zgjodha të luftoj për shqiptarët. Dhe harrojnë mjeranët, se fëmijët e Sali Berishës janë fëmijët e shqiptarit. Ç’është e vërteta miq, Sali Berisha po lufton për një nga fëmijët e tij, por kësaj radhe jo për fëmijët biologjikë. Sot Sali Berisha po lufton për fëmijën e tij, fëmijën që së bashku e sollëm në jetë 33 vite më parë, pluralizmin politik./ZËRI

Poll

MOS HUMB