Politikë

Bashkia e Elbasanit arrin marrëveshjen me Kurum: Punëtorët do paguhen, fabrika u mbyll prej konkurrencës kineze

Llatja theksoi se brenda vitit presin nisjen e prodhimit të petëzimit, kurse në pranverë të vitit të ardhshëm të nisë puna te sektori i çelikut

E.K
Bashkia e Elbasanit arrin marrëveshjen me Kurum: Punëtorët do
Gledian llatja

ELBASAN- Bashkia e Elbasanit ka arritur marrëveshjen me kompaninë Kurum, për punonjësit që kanë mbetur pa punë pas mbylljes së fabrikës. Në një komunikim me mediat, kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja deklaroi se kjo marrëveshje u arrit pas disa ditësh negociatash të vazhdueshme mes tij dhe drejtuesve të kompanisë Kurum. Llatja tha se të gjithë punonjësit që merreshin me përpunimin e çelikut do të jenë në punë, ndërsa ata që do të qëndrojnë në shtëpi, do të paguhen sipas kontratës kolektive.

“Kemi kërkuar më shumë shpjegime gjatë këtyre ditëve. Edhe dje patëm disa takime. Kemi pritur vendim të bordit drejtues të kompanisë. Sot patëm një negociatë të fundit ku arritën në konkluzionin që asnjë punëtor të mos largohet nga puna në një afat të pacaktuar. Marrim garancitë që pjesa e petëzimit, problemet që ka të angazhohet kompania për të mbyllur pjesën e investimit. Për pjesën e çelikut të gjithë punëtorët do të jenë në punë. Asnjë nuk do të marrë pagesë nën 35 mijë lekë bruto në muaj të gjithë do të marrin dietën ushqimore për 22 ditë punë dhe ata që do të jenë në punë në proces do paguhen me 100% të pagesës, kurse ata që do të rrinë në shtëpi, do të paguhen sipas kontratës kolektive, por jo nën 35 mijë lekë bruto. Ata që kanë dalë në pension, apo ata që kanë qenë në provë 2-3 mujore dhe nuk kanë qenë të përshtatshëm janë 10-12 veta”, u shpreh Llatja, gjatë fjalës së tij për mediat.

I pyetur mbi arsyet që çuan në largimin e 500 punonjësve të Kurum, Llatja theksoi se është lufta ekonomike që vjen nga Kina.

“Arsyet kryesisht kanë qenë ekonomike. Para disa ditësh ata kanë shprehur shqetësim për çmimin e skrapit që është rritur në bursë, kurse çmimi i prodhimit të çelikut ka mbetur i njëjtë. Flitet për luftë ekonomike të çelikut që vjen nga Kina dhe kjo ka qenë problematika kryesore se edhe rritja e çmimit të energjisë ka bërë të vetën. Problematika ka të bëjë me prodhimin dhe konkurrencës që vjen nga Kina”, u shpreh kryebashkiaku i Elbasanit.

Sipas Llatjas, ky proces ka ndodhur prej vitesh për shkak të mbylljes së prodhimit, por punëtorët nuk janë larguar nga puna. Llatja theksoi se brenda vitit presin nisjen e prodhimit të petëzimit, kurse në pranverë të vitit të ardhshëm të nisë puna te çeliku.

Sa i takon hetimeve ai u shpreh: “Inspektoriati i punës ka bërë detyrën e tij është një hetimi që po vazhdon ata po marrin të gjitha gjërat në konsideratë; kontratën e kushtet e punës. Besoj që është një proces që mbyllet. I gjithë sistemi i lëndëve që vijnë në Shqipëri ka një sërë hallkash dhe procesi kur kalojnë nëpër filtra. Kemi marrë garanci që nuk ka pasur asnjë shqetësim në lidhje me këtë gjë nga kompania”./ZËRI 

Poll

MOS HUMB