Opinione

'Bashkë Fitojmë' apo ... 'Bashkë Përpiqemi'?

Albert Halilaj mundi të merrte më shumë vota edhe se vetë Gjici, në një diferencë prej gati 6 mijë vota ndaj rivalit të tij të "BF" dhe gati 2 mijë vota më shumë se Gjici në 14 maj. 

Fjola Graçi
DEGJOJE ARTIKULLIN
'Bashkë Fitojmë' apo ... 'Bashkë
Emri Vata dhe Sali Berisha

TIRANE- As videoskandali që mori vëmendjen e mediave botërore dhe dogji njëherë e mirë karrierën e Safet Gjicit në politikë, nuk i mjaftoi opozitës dhe kandidatit të 'Bashkë Fitojmë', Emri Vata të merrte kryesimin e bashkisë në Kukës. Kukësi, një bashki tradicionalisht e djathtë do të duhet të ishte një garë e lehtë për demokratët, për të rikthyer një bastion. Safet Gjici e fitoi Kukësin pa garë. Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ishin një dhuratë për të, për të hyrë në një zyrë në të cilën nuk diti të realizonte në mënyrë të denjë as betimin dhe as largimin. 

Ishin të shumtë ata që menduan se me largimin e Gjicit, "Bashkë Fitojmë" do të mundte të rimerrte bashkinë. Por në fakt e kundërta ndodhi. 

Për gati 3 muaj, "Bashkë Fitojmë" e nisi procesin në një mënyrë të mbrapshtë. Edhe pse një numër i madh demokratësh kërkuan futjen në garë të emrave me më shumë përkrahje në qytet, prapë Rithemelimi zgjodhi që kandidati të dilte nga procesi i primareve, duke e eleminuar një kandidat si Arif Rexhmati që u konsiderua potencial në nisje të garës. 

Por edhe pse gara do të duhet të ishte e lehtë, ritmi ra rrugës. Primaret nxorrën fitues Emri Vatën me vetëm 274 vota. Me 274 vota, Vatës iu garantua emri në listë përballë kandidatit të PS. 

"Bashkë Fitojmë" u zotua që do të mbronte votën, nuk do të lejonte intimidimin dhe vjedhjen e votës, por rezultati sot flet ndryshe. Kukësi u fitua me lehtësi nga kandidati i PS. Albert Halilaj mundi të merrte më shumë vota edhe se vetë Gjici, në një diferencë prej gati 6 mijë vota ndaj rivalit të tij të "BF" dhe gati 2 mijë vota më shumë se Gjici në 14 maj. 

Por pse kuksianët zgjodhën sërish, njësoj si Dibra në zgjedhjet e 2016, të besojnë votën te Partia Socialiste. A u mobilizua "Bashkë Fitojmë" për të bërë maksimumin dhe për të marrë fitoren? A ishte kandidati i duhur? A dështuan Primaret, apo sërish fajin e kanë qytetarët? Edhe pse do të duhet të kishte një përgjigje, sot kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk komentoi humbjen turpëruese të Vatës në Kukës, duke u mjaftuar me reagimin për ngjarjet në Kosovë. 

Jo pa faj, memet në rrjet kanë projektuar një alibi të opozitës të ngjashme me ato të Lulzim Bashës me reagime se "beteja sapo ka filluar", apo me sugjerime se 'Bashkë Fitojmë' duhet të ndryshojmë të paktën emrin. Sugjerimin e parë po jua japim ne... Bashkë përpiqemi por jo aq sa duhet.../Zëri.ai

Poll

MOS HUMB