TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike zyrtare Lulzim Basha ka qenë i ashpër në reagimin e tij sa i përket aksionit opozitar në parlament. Gjatë fjalës së tij në takimin me demoktratët e degës 12, Basha tha se aksioni i sotëm ishte një teatër që luhet nga një grusht aktorësh pa vizion dhe që kanë probleme me drejtësinë. Ndërsa një “thumb” e kishte dhe për deputetët demokratë, që sipas tij janë aty me firmën e tij dhe jo për shkak të arritjeve personale.
Lulzim Basha: Sot duhej të ishte dita kur interpelanca e kërkuar nga Partia Demokratike për Edi Ramën për akuzat e bëra nga dyshi i tij që është pronari I vërtetë i inceneratorëve, ta vendoste para gjyqit të opinionit publik në parlament. Në fund të fundit opozita s’ka shumë pushtete, po këtë mundësi e ka dhe këtë mundësi nuk ia heq dot askush përveç vetes vet. Sot Edi Rama duhej të gozhdohej në parlament për implikimin që i bën dyshi i tij, beniamini i tij i dashur në arrati sepse kërkohet nga SPAK. Por kjo nuk ndodhi sepse u bënë 3 muaj që parlamenti është kthyer në një teatër. Një teatër që luhet nga një grusht aktorësh. Një grusht aktorësh që kanë hallet dhe problemet e tyre po jo hallin e shqiptarëve. Njëri nuk do listat e hapura dhe thotë ik Enkelejd të vij unë bashkëkryetar. Tjetri ka problem të pambyllura me drejtësinë, tjetri nuk ka projekt politik përveçse të jetë vet deputet. Ky është turpi ynë. Nëse ka një njeri që duhet të jetë në krye të turpit i pari jam unë sepse janë atje më firmën time, të dalin dhe të shohin sa vota kanë marrë Kanë 3 muaj që janë alibia e Edi Ramës. Janë tutat e lakuriqësisë së tij politike.
Opozita dhe këtë të hënë vijoi aksionin e saj në Kuvend, ku bllokuan seancën, ndëesa nuk munguan as përplasjet me Gardën e Republikës, e cila ishte rreshtuar përpara kabinetit qeveritar. Ndërkohë që tensione u regjistruan dhe jashtë sallës ku deputetët e përjashtuar të PD tentuan të futen në sallëm ndërsa jashtë demokratët protestonin. Më pas deputetët, bashkë me ta dhe Gazment Bardhi marshuar drejt rrugës “Mustafa Matohiti”, duke iu bashkuar protestës poshtë dritares së Sali Berishës./ZËRI