
TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Demokratike për më shumë se 2 orë ka zhvilluar diskutuar lidhur me aksionin e opozitës gjatë ditëve në vazhdim. Pas mbledhjes së deputetëve, në një deklaratë për mediat e pranishme doli kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili lajmëroi edhe njëherë se të enjten, do të ketë sërish protestë para Kuvendit, ku edhe pritet që të jepet "drita jeshile" për arrestimin e tij nga SPAK. Në fjalën e tij, Berisha tha se diskutimet në mbledhje ishin të gjata, duke ia lënë përgjegjësinë kryetarit të grupit, Gazment Bardhit për të zbuluar detajet e aksionit. Ndërsa vetë, edhe njëherë, lajmëroi nisjen e një beteje që sipas tij është pa hapa pas kundër kryeministrit Edi Rama.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Sali Berisha: Ne do të mbrojmë vlerat, parimet nga një sulm antikushtetues, brutal i Edi Ramës dhe lakejve të tij. U diskutua gjerësisht mbi qëndrimet që do të mbahen ndaj këtij regjimi dhe ju garantoj se do të jenë vetëm përballje, përballje. Nuk ka asnjë shans që Edi Rama të konsolidojë këtë regjim antidemokratik, diktatorial, të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.Diskutimet ishin të gjera. Të shumta. Zoti Bardhi do të ju njohë ju me më hollësi për vendimet që u morën, parimet që do të bazohet qëndimi ynë.
Pyetje: O sot o kurrë, por deputetët që mbështesin Gazment Bardhi dhe ai vetë nuk ishin në protestën tuaj.
Sali Berisha: A jemi sot apo dje?
Pyetje: A i mbështesin ata protestat?
Sali Berisha: Ditën e enjte Shqipëria është para parlamentit. Të bashkuar absolutisht. Ditën e enjte është para parlamentit, Tirana dhe Shqipëria.
Pyetje: Pas ditës së enjte çfarë do të ndodhë?
Sali Berisha: Betejë pa kthim, betejë pa kthim. Mirupafshim!
Gazment Bardhi: SPAK zero prova për Berishën
Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, gjithashtu ka komentuar vendimin e marrë gjatë ditës së djeshme nga ana e Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të kryetarit demokrat Sali Berisha, në kuadër të kërkesës së SPAK për një masë më të ashpër për akuzën e korrupsionit pasiv për aferën ‘Partizani’.
Pas takimit me Berishën dhe deputetët e tjerë demokratë, Bardhi tha se SPAK duhej që në fillim të ndiqte procedurën e ligjshme dhe të dorëzonte në Kuvend kërkesën për Sali Berishën dhe jo të caktonte për të një masë shtrënguese. Bardhi madje u shpreh se SPAK nuk ka paraqitur prova konkrete, për faktin se për çfarë akuzohet Berisha. Bardhi gjithashtu deklaroi se SPAK ka vepruar me dy standarde me Berishën dhe Ramës.
Pyetje: Pse nuk ju bashkuat ditën e djeshme protestës të zotit Berisha?
Bardhi: Fola për vendimmarrjen politike të Këshillit të Mandateve. Këshilli i Mandateve, që të autorizojë heqjen e lirisë së një deputeti, do të duhet të ketë një kërkesë, shoqëruar me një relacion të arsyetuar dhe me të gjitha provat ku bazohet ky arsyetim. Ftesa që dje Prokuroria i bënte deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që të analizonin vendimet e gjykatave, të komentonin vendimet e gjykatave, është një kërkesë antikushtetuese, sepse deputetët nuk mund të komentojnë vendimet e gjykatës. Deputetët do të duhet vetë të analizojnë relacionet dhe shkaqet që parashtron Prokuroria dhe arsyet ku Prokuroria e bazon kërkesën. Ju jeni në media dhe do të duhet që të keni akses dhe në dosjen që ka sjellë Prokuroria. Në relacionin shoqërues të kërkesës së Prokurorisë për heqjen e lirisë, ka zero prova. Mua kjo gjë më bën përshtypje. Si ka mundësi që në rastin e z Ahmetaj, Prokuroria paraqet 1400 faqe prova, ndërsa në rastin e një deputeti të opozitës ka zero prova që shoqërojnë relacionin. A do të duhet ta ngre unë shqetësimin se organi i akuzës ka standard të dyfishtë? Mendoj se po.
Kjo sepse Kuvendi e Prokuroria nuk mund të ketë një standard për deputetët e Edi Ramës dhe një standard për kundërshtarët e Ramës. Që t’i qëndrojmë standardit që kemi vendosur, autorizim në çdo rast për kërkesë të Prokurorisë, do të duhet që Kuvendi e Prokuroria të kenë një standard. Dje u tha se është ndryshuar Kodi i Procedurës, që lejon Prokurorinë që të ketë autorizim vetëm në rastin e arrestit me burg dhe arrestit në shtëpi. Unë dua të informoj opinionin publik, që kjo është një gënjeshtër. Kodi i Procedurës penale është ndryshuar në mars 2017. Kërkesa e Prokurorisë, ku Kuvendi ka bërë interpretimin e ligjit është i tetorit 2017, pra disa muaj pasi është ndryshuar Kodi i Procedurës penale. Kushtetuta dhe Kodi janë të qarta. Çdo masë shtrënguese, që heq lirinë ndaj një deputeti do të duhet të marrë autorizimin e Kuvendit të Shqipërisë. Që të ketë autorizim, do të duhet kërkesë e autorizuar, bazuar në prova. Nuk do ketë normalitet në punët e Kuvendit, sa kohë që nuk plotësohen kërkesat e opozitës.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për "korrupsion pasiv'. Në privatizimin e klubit sportiv “Partizani”, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, e po ashtu edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi. Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i Partizanit, për të ndërtuar më pas komplekse banimi. GJKKO vendosi masën e sigurisë 'detyrim parqitje' për ish-kryeministrin Berisha, teksa ky i fundit ka refuzuar të paraqitet pranë OPGJ. Pas kësaj, SPAK ka bërë kërkesë në Kuvend për shtrëngim të masës së sigurisë për Berishën. Këshilli i Mandateve vendosi t'i hapë rrugë SPAK-ut të për shtrëngimin e masës së sigurisë. Opozita deklaroi se SPAK nuk ka sjellë prova për Berishën në Këshillin e Mandateve, duke paralajmëruar protesta në ditët në vijim./ZËRI/