
TIRANË- Socialistët nuk kanë ndërmend që të bëjnë asnjë ditë pushim deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që pritet të mbahen në pranverë. Të gjitha strukturat drejtuese, nga Kryesia te deputetët dhe degët lokale janë angazhuar të gjithë në terren, për maksimalizimin e rezultatit, ndërsa kryeministri Edi Rama shpalli dje dhe objektivin e tij për mln vota.
Në kuadër të këtyre takimeve, të premten në orën 10:00, kryeministri Edi Rama do të mbledhë deputetët në qarkun e Elbasanit, ku do të bëhet dhe analiza për zgjedhjet e ardhshme. Burime bëjnë me dijë për ZËRI-n, se fokusi kryesor i deputetëve, sipas udhëzimeve të Ramës, do të jetë komunikimi me ndjekësit në rrjetet sociale, por edhe angazhimi i tyre në terren, në takime të afërta me zgjedhësit.
Jo më larg se dje në mbrëmje, kryeministri Edi Rama zhvilloi për rreth një orë mbledhjen me anëtarët e Kryesisë, ku la dhe porositë e fundit.
Një nga temat kryesore të kësaj mbledhje ishte dhe caktimi i qartë i detyrave për drejtuesit e rinj politikë të Tiranës, ku kryeministri Rama ua besoi këtë detyrë të rëndësishme Erion Veliajt, Ogerta Manastirliut dhe Elisa Spiropalit.
Manastirliu është caktuar të merret me strukturat e PS në Bashkinë e Tiranës, Spiropali në bashkitë e tjera të qarkut, ndërsa Veliaj do të koordinojë punën në të gjithë qarkun.
Gjithashtu kryetari i PS ju ka dhënë porosi komunikimin, afrimin me të rinjtë dhe promovimin e platformës “Deputeti që Duam” si dhe vëmendjen ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë. Gjithashtu detyra që Rama u ka dhënë drejtuesve të rinj politik që e marrin për herë të parë këtë peshë politike apo ata që kanë ndryshuar qark, është që të shkojnë në zonë të njihen me strukturat dhe të nisin punën e tyre. /ZËRI