
TIRANË-Partia Demokratike ka depozituar këtë të enjte një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ndaj kryetarit të Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu. Sekretari i çështjeve ligjore të Partisë Demokartike, Ivi Kaso, pretendon se Topçiu është i përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme me karakter zgjedhor dhe abuziv.
Në denoncim renditen tre akuza kryesore: asfalti elektoral, tenderat elektoralë dhe punësimet e përkohshme në funksion të fushatës zgjedhore.
PD thekson se këto veprime përbëjnë një shkelje flagrante të ligjit dhe përdorim të burimeve publike për përfitime politike. Partia Demokratike i ka kërkuar SPAK-ut që të nisë menjëherë hetimet dhe të vërë përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë sipas saj “skandal elektoral me përmasa të mëdha”./ZËRI