Politikë

Arrestimi i Jorgo Goros/ Del nesër para GJKKO! REAGIMET- Dule: Të betohet Beleri! OMONIA: Do vendoset Vangjel Tavo

Pas arrestimit të Goros, lokali, i cili është në pronësi të kryetarit të fshatit Dhërmi, Aleksi Marko, iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm deri në orët e vona të mbrëmjes.

k.m.
Arrestimi i Jorgo Goros/ Del nesër para GJKKO! REAGIMET- Dule: Të
Jorgo Goro

TIRANË- Himara është pa "kryetar". Pas arrestimit të Fredi Belerit, i njëjti "fat" ka ndjekur edhe kryebashkiakun në detyrë, Jorgo Goro, të cilit iu vendosën prangat ditën e djeshme. Ai do të përballet me akuzat që ka mbi shpinë ditën e hënë, kur edhe pritet të dalë para Gjykatës së Posaçme. Burime për ZËRI-n, Jorgo Goro u prangos sapo doli nga një lokal, ku po darkonte me miqtë e tij. Por nuk e dinte që agjentët e SPAK dhe BKH-së po e mbanin nën vëzhgim. Sapo ai doli nga lokali, i vendosën prangat dhe e sollën në Tiranë. Por aksioni në Himarë nuk përfundoi. Pas arrestimit të Goros, lokali, i cili është në pronësi të kryetarit të fshatit Dhërmi, Aleksi Marko, iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm deri në orët e vona të mbrëmjes.

Arrestimi i tij solli reagime. I pari që konfirmoi arrestimin e tij pa e bërë me dije as Policia e Shtetit dhe as SPAK, ishte nënkryetari i PD-së, Gazment Bardhi.

"Arrestimi i Jorgo Gorës është një lajm i mirë, që duhet të shoqërohet me arrestime edhe të bashkëpunëtorëve zë Edi Ramës, që në shkelje të ligjit kanë përfituar prej tij statusin e investitorëve strategjik. KM duhet me urgjencë të urdhëroj shkarkimim e tij nga detyra,"-shkroi Bardhi.

Pas tij, erdhi dhe njoftimi zyrtar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në njoftimin e SPAK, zbulohet se Jorgo Goro akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste. Sipas SPAK, asokohe kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, i cili mbante detyrën e Drejtorit të Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Himarë, pa bërë asnjë verifikim. Pra kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara, të cilat nuk i kanë verifikuar për të regjistruar 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet. Toka i shkoi Stavri Mëhilli. Pas regjistrimit të pasurisë, prona ka kaluar tek shoqëria private me përfaqësues, bashkëshortin e ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Artan Gaçi.

Por edhe sot ka pasur reagime lidhur me arrestimet.

Komuniteti grek në Shqipëri, OMONIA përmes një deklarate për shtyp ka ngritur disa pyetje lidhur me dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit dhe arrestimin e Jorgo Goros. Sipas tyre, ka shumë gjasa që në zgjedhjet e ardhshme të parakohëshme, si kandidat i Ramës të zgjidhet Vangjel Tavo.

"Gjithçka ka shpjegimin e vet! Ideja e Ramës për të emëruar ish-deputetin socialist me origjinë nga Dropulli, Vangjel Tavon, si kryetar të Bashkisë Himarë, u dëgjua për herë të parë në Krishtlindjet e vitit 2023. Vangjel Tavo, për nder të tij, e mohoi këtë gjë në atë kohë. Gjithsesi, rezulton se në Shqipëri asgjë nuk është e rastësishtme. Në 3 javët e fundit ka ndodhur si më poshtë: 5 Mars 2024: Kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, u dënua në shkallë të parë në një proces gjyqësor pa prova. 14 Mars 2024: Prefekti i Vlorës u zëvendësua papritur nga Vangjel Tavo. 21 mars 2024: Gjykata Kushtetuese legalizoi paraburgimin e Belerit. 23 Mars 2024: Arrestohet i përzgjedhuri i Ramës dhe humbësi i zgjedhjeve vendore, Gjergji Goro, i cili vazhdoi të drejtojë Himarën për 10 muaj pas humbjes së tij. Shtrohen pyetjet: – Përse Rama e emëroi Tavon Prefekt nëntë ditë para se Goro të arrestohej? Përse prokuroria e SPAK nuk arrestoi edhe Artan Gaçin, bashkëshortin e ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, në favor të të cilit u krye falsifikimi për të cilin akuzohet Goro?,"-shkruhet ndër të tjera në deklaratën e OMONIA-s.

Po ashtu, për të njëjtën ngjarje ka reaguar edhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili e "lexon" arrestimin e djeshëm si një skenar të kryeministrit Edi Rama. Po ashtu, kërkoi që Fredi Beleri duhet të betohet sa më parë në krye të detyrës, pasi sipas tij, për të nuk ka asnjë pengesë ligjore.

“Janë lëvizjet e kryeministrit Rama, lëvizje të cilat nuk mund të sugjestionojnë askënd sepse të gjithë janë të vetëdijshëm që janë lëvizje marionetash në skenën e teatrit të hijeve që përpiqet të ngrejë Edi Rama në Himarë. Thelbi i çështjes është një dhe i vetëm në Republikën e Shqipërisë do respektohet kushtetuta, ligji, konventat evropiane në të cilat vendi është palë a do vihen pjesë e respektimit të përditshëm të të drejtave të qytetarëve të këtij vendi? Të gjitha lëvizjet janë të orkestruara nga dirigjenti i vetëm në Himarë Edi Rama. Sigurisht që ka shumë viktima në radhët e PS të qeverisë por edhe të pushtetit vendor të cilët janë zgjedhur me PS që varfërisht zbatojnë urdhrat e Ramës dhe janë ata që mbajnë barrën e përgjegjësisë ligjore sepse ne kemi një kryeministër që është tërësisht i papërgjegjshëm. Tavo kandidat për Himarën? Besoj se nuk ka lëvizje marionetash në skenën e teatrit të hijeve që po përpiqet të ngrejë në bashkinë e Himarës që mund të sugjestionojë qytetarët që e njohin e dinë realitetin e plane diabolike të zotit Rama me pronat në Himarë,"-tha ndër të tjera në fjalën e tij, Dule. 

Ndërkohë që reagimet vazhdojnë. Goro është në burg, ndërsa në “arrest shtëpie” janë lënë ish-drejtori i ASHK Vlorë, Bilbil Aliaj dhe ish-juristi në këtë institucion, Vezir Gjikoka. Aktualisht në kërkim janë shpallur Jerasimo Bashi dhe Stavri Mëhilli./ZËRI

Poll

MOS HUMB