
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi ka reaguar pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Kryemadhi përmes një postimi në rrjetet socialia është shprehur se arrestimet do të vazhdojnë dhe tani është radha e kryeministrit Edi Rama. Deputetja e PL-së tha se ajo ka paralajmëruar për korrupsionin që “pushtoi” Bashkinë e Tiranës dhe qeverinë.
“Shakaja sado e hidhur mbetet gjysma e të vërtetës. Por Monika ka lajmëruar e para uraganin e korrupsionit që ka pushtuar Bashkinë e Tiranës dhe qeverinë. Uragan që sot i ka marrë përpara të gjithë. Edi Rama ka dashur të bëjë humor me dhimbje, por sot dhimbja e tij është e pafund se lista e arrestimeve po vazhdon. Citoje sërish Monikën, sepse ajo ta ka bërë benë, është radha jote”, shkruan ajo.

Sot, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është arrestuar me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste. Sipas SPAK, përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules, i cili po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK, u gjeneruan 1.1 mln euro. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë. Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa përdorën bizneset dhe OJF për të futur paratë në banka. Po ashtu, sipas SPAK, bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa në 4 vite bëri 860 mijë euro blerje online veshje dhe bizhuteri. Paratë siguroheshin nga ryshfeti që dhanë 5 biznesmenët për leje ndërtimi dhe fonde publike. Nën hetim edhe Klotilda Bushka, e cila akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës./ZËRI