
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar për herë të parë pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i caktoi masën “arrest shtëpie” për akuzën e korrupsionit pasiv lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’. Në reagimin e tij të parë në rrjetin e tij social, Berisha e cilëon masën si një hakmarrje politike të kryeministrit Edi Rama. Një mesazh ka edhe për mbështetësit e tij, duke i premtuar se nuk do të ndahet prej tyre por do të vazhdojë që të luftojë për të rikthyer demokracinë në vend. Edhe Berisha, njëjtë si mbështetësit e tij ka një mesazh: O sot, o kurrë! Ky ishte komunikimi i tij i parë, por nuk dihet a do të jetë i fundit i kryedemokratit, të cilit i lejohet që të komunikojë vetëm me personat me të cilët ndan banesën.
"Të dashur miq, Sali Berisha është dhe do të jetë ai që ka qënë gjithmonë. Me apo pa arrest shtëpie, me apo pa policë tek dera, asgjë nuk do mund ta ndajë dot atë nga ju, jo vetëm demokratë, por edhe shqiptarë kudo që ata ndodhen. Sali Berisha do të vazhdojë të punojë dhe të luftojë çdo minutë, me të gjitha format dhe mjetet për të rikthyer demokracinë që aktualisht është e shpërfytyruar: Më shumë nga të gjithë që e kupton se litari i kalbur po i këputet është vetë Edi Rama,"-shkruan Berisha në postimin e tij.
POSTIMI I PLOTË:
Të nderuar miq, demokratë, shqiptarë kudo ku ndodheni.
Sot ndodhi ajo që të gjithë e dinim, izolimi dhe heqja e të drejtës së fjalës të liderit të opozitës nga narko-regjimi më mafioz i bastardit të ish-xhelatëve shqiptarë Kristaq Rama dhe Spiro Koleka, Edi Ramës që është dhe regjimi diktatorial më i korruptuar në Europë dhe më gjerë. Kjo masë arresti politik, dëshmi e një hakmarrje politike të verbër të Edi Ramës, nuk shpreh vetëm urrejtjen e tij të trashëguar ndaj kundërshtarit, por mbi të gjitha shpreh frikën, tmerrin që ne të dashur miq i kemi kallur atij deri në palcë dhe botës së tij të krimit me betejën tonë pa kthim.
Ai që mendon se asgjesoi pluralizmin dhe opozitën do ketë fatin që populli opozitar i rezervon armiqve të lirisë, diktatorëve.
Të dashur miq, Sali Berisha është dhe do të jetë ai që ka qënë gjithmonë. Me apo pa arrest shtëpie, me apo pa policë tek dera, asgjë nuk do mund ta ndajë dot atë nga ju, jo vetëm demokratë, por edhe shqiptarë kudo që ata ndodhen.
Sali Berisha do të vazhdojë të punojë dhe të luftojë çdo minutë, me të gjitha format dhe mjetet për të rikthyer demokracinë që aktualisht është e shpërfytyruar: Më shumë nga të gjithë që e kupton se litari i kalbur po i këputet është vetë Edi Rama.
Unë jam i bindur se sot jemi sëbashku jo thjesht ata demokratë që janë në krah të Sali Berishës, por dhe ata shqiptarë që e ndjejnë dhe e përjetojnë se Shqipëria është në rrezik. Ata janë shumica e qytetarëve të këtij vendi, ndaj a e dini pse fitorja jonë është e padiskutueshme? Është e tillë sepse ata që duan Shqipërinë janë më shumë se ata që duan thjesht Sali Berishën. Së fundmi, çdo masë që merr ky pushtet ndaj meje dhe opozitës është e përkohshme. Ajo që mbetet e pamposhtur është mosdorëzimi ynë dhe vendosmëria jone që izolimin e opozitës ta kthejmë në betejë lirie dhe në fitore për shqiptarët. Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë me moton “O SOT O KURRË” betejën tonë pa kthim edhe më të fortë, të vendosur dhe më me pasion e guxim se kurrë më parë.
Gjykata e Posaçme pranoi sot kërkesën e SPAK për shtrëngimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "arrest shtëpie"./ZËRI