
TIRANË-Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në një intervistë të zvilluar me gazetari italian të Rai3, ngriti akuza ndaj kreut të qeverisë Edi Rama. Ahmetaj ka deklaruar se grupet kriminale në Shqipëri i fitojnë kontrata falë udhëheqësve dhe pastrojnë para përmes ndërtimit, e gjitha duke u koordinuar me kryeministrin Edi Rama. Sipas akuzave të ish-zëvendëskryeministrit të arratisur, Rama do të kishte marrëdhënie direkte me krerët e klaneve kriminale.
Vetë Rama në një përgjigje gjatë intervistës për "Report" hedh poshtë akuzat, duke e cilësuar si të pabesueshëm ish-krahun e tij të djathtë: “Njeri që nuk duhet marrë seriozisht. Politika shqiptare nuk është e ndotur nga mafia".
Në emisionin “Report”, pritet që të publikohet edhe intervista e plotë e regjistruar me kryeministrin Edi Rama. Nuk dihet ende nëse kreu i qeverisë shqiptare ka komentuar lidhjet me personazhet e tjerë të përmendur nga ish-krahu i tij i djathë, si Luftar Hysa, i konsideruar nga autoritetet kanadeze si një nga ricikluesit kryesorë të “Kartelit Sinaloa".
Kujtojmë së në investigimin e “Rai 3” pretendohej për prapaskena afera korruptive. Sipas tyre, “njeriu kyç në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantet është Sekretari i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, një ish-avokat i narkotrafikantëve”, thuhej në dokumentarin e Rai3. Vetë Agaçi i quan gjetjet e gazetarëve italianë shpifje, ndërsa paralajmëroi padi për programin. Agaçi ka publikuar pyetje-përgjigjet me gazetarët italianë, ku është shprehur qoftë për punën e tij si jurist në Itali, qoftë për rolin që ka pasur në marrëveshjen për emigrantët mes dy vendeve tona. Por këto përgjigje u fshinë nga emisioni. Ai thekson në përgjigje, se puna e tij si jurist, që përfshin dhe mbrojtjen e kriminelëve shqiptarë në Itali, nuk ka asnjë interes publik, apo lidhje, me detyrën që ai tashmë ushtron në kryeministri.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama e ka quajtur një baltosje të imazhit të Shqipërisë investigimin, ndërsa Meloni është shprehur e shqetësuar për sulmin ndaj vendin tonë./ZËRI