Politikë

Kryemadhi: Edhe unë e Meta mund të marrim fletëthirrje nga SPAK

Deputetja e PL, Monika Kryemadhi u shpreh se ajo vetë është thirrur nga SPAK për çështjen e inceneratorëve, "ndërsa pret të thirret për operacionet plastike'.

D.XH
Kryemadhi: Edhe unë e Meta mund të marrim fletëthirrje nga SPAK
Monika Kryemadhi

TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka folur për mediat, jashtë sallës së Kuvendit. Kryemadhi u përgjigj disa pyetje të gazetarëve. Ajo u pyet nëse ka fletë-thirrje nga SPAK për Metën dhe u përgjigj se “edhe mund të ketë”.

Kur u pyet nga gazetarët, nëse ka fletë-thirrje nga SPAK për të, Kryemadhi u shpreh se ka pasur fletë-thirrje për çështjen e inceneratorëve dhe shtoi se pret thirrje edhe për operacionet plastike.

Monika Kryemadhi komentoi edhe burgosjen e Jamarbër Malltezit. Ajo tha se Malltezi për të është i burgosur politik dhe Sali Berisha, i përndjekur politik.

Monika Kryemadhi: Që të jem e sinqertë, në Shqipëri normalja është kthyer në anormale dhe anormalja në normale. Nuk më vjen mirë që shikojmë përplasje të tilla, pavarësisht se dhe ne kemi qenë shpesh herë pjesë apo subjekt i këtyre konflikteve. Kjo vjen si rezultat i mungesës së tolerancës dhe për hir të së vërtetës, demokracia dhe toleranca në Shqipëri, tashmë janë të cënuara.

Unë kam kuptuar që biznesi më fitimprurës sot në Shqipëri nuk është ndërtimi, por është fake news. Kjo sepse në bazë të fake news, ndërtohen paditë, në bazë të fake news, ndërtohen narrative politike, në bazë të fake news, ndërtohen projektligje, pra sot biznesi më i fuqishëm dhe më fitimprurës është fakenews.

Ajo çka dua të theksoj është që sot situata e lirisë dhe e të drejtave të njeriut në Shqipëri është në një stad, që nuk përfshihet në asnjë lloj sistemi demokratik, as hibrid nuk mund ta quaj sot Shqipërinë, sot Shqipëria është Republika e drogës, e cila në krye të saj ka një kryeministër, i cili nuk pyet as për institucionin e Presidencës, as për institucionin e Parlamentit, por përkundrazi, të gjitha institucionet, të varura dhe të pavarura, janë kthyer tashmë në funksion të një kryeministri, që nuk është gjë tjetër, veçse garantuesi kryesor i gjithë trafikut të drogës nga Kolumbia, Venezuela, Dubai, vendet e Lindjes, për të krijuar Trekëndëshin e tij të Bermudës në Ballkan, përsa i përket jo vetëm trafikut të drogës, jo vetëm pastrimit të parave, por dhe të strukturimit dhe institucionalizimit të krimit të organizuar.

Juve besoj jeni të njohur edhe me shumë gjëra të tjera, që kanë të bëjnë edhe me zbërthimin e sky dhe encrochatit, për implikimin e drejtuesve të lartë, jo vetëm të policisë, por edhe të gazetarisë dhe shumë institucioneve të tjera, të cilat tregojnë haptazi sesi grupet kriminale tashmë që janë në kërkim në vendet e BE apo vende të tjera, kanë gjetur strehë në vendin tonë.

Sot mos u çudisni, që familjarët e tyre të afërm do drejtojnë institucione shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë jo vetëm me strukturën dhe lavatriçen e pastrimit të parave, por dhe me lavatriçen e pastrimit të parave në fushën e ndërtimit, apo dhe nëpërmjet koncesioneve të tjera.

A ka pasur thirrje nga SPAK për ju ose zotin Meta?

Monika Kryemadhi: Unë fletë-thirrje kam pasur shumë nga SPAK dhe këto kanë qenë të lidhura me inceneratorin e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, që kanë të bëjnë jo vetëm me paditë që kam ngritur unë. Nuk kam ndonjë problem edhe për çështjet e tjera. Edhe për operacionet plastike pres të më thërrasë SPAK dhe jam e gatshme të shkoj. Por, nuk jam thirrur për operacionet plastike. Nuk jam thirrur as për çështjen e lobimit.

Po aksionin opozitar të PD a e mbështesni?

Monika Kryemadhi: E mbështes çdo aksion opozitar, edhe të vetë gazetarëve. Se mos harroni se pas nesh, mund të jeni ju gazetarët viktimat e radhës së kësaj qeverie.

E mbështesni dhe dhunën e shfaqur sot në Kuvend?

Monika Kryemadhi: E thashë dhe më përpara. Rama ka thënë druri ka dalë nga xheneti, kështu që druri që po përdor sot me shqiptarët dhe shqiptarët që e vlerësojnë, ose ia shesin votën ose ai ua vjedh votën, këtë duhet ta zbulojmë. Kur nuk funksionon logjika, ndonjëherë funksionon logjika e forcës.

A keni koordinim me deputetët e opozitës?

Monika Kryemadhi: Unë nuk jam pjesë e kësaj. Ka një strukturë të Partisë së Lirisë, që merret me këtë gjë. Patjetër që do koordinohemi, për gjërat e përbashkëta, që ne biem dakord. Mendoj se aksioni opozitar është shumë më i rëndësishëm se emocionet personale që kemi. Unë personalisht nuk kam ndonjë qejfmbetje me zotin Bardhi, kur ai ka gënjyer në deklarata.

Në atë kohë, ai kishte zotin Basha kryetar partie. Lëvizjet tona janë që të bashkohemi të gjithë bashkë dhe të krijojmë një opozitë. Unë mendoj se një opozitë e fortë krijon një vend demokratik. Sa më e dobët të jetë opozita, aq më diktatorial do të jetë Edi Rama, aq më e tmerrshme do jetë diktatura e krimit dhe e drogës. Kështu që do të jetë më e vështirë edhe për qytetarët, por edhe për mediat. Sot jeni ju, por kur të shkrihet opozita, nuk do jetë as media, sepse nuk do jeni më të nevojshëm.

Zonja Kryemadhi, a keni koment për aksionin e SPAK ndaj liderit të opozitës?

Monika Kryemadhi: Për mua Monika Kryemadhin, Jamarbër Malltezi është i burgosur politik, Sali Berisha është i përndjekur politik. Ju besoj e njihni të gjithë Berluskonin. Berluskoni ka pasur rreth 475 çështje, por nuk i ka hequr njeri pasaportën Berluskonit, as nuk e ka ndaluar njeri Berluskonin që të dalë. Loja politike që përdoret për mua është shumë e shëmtuar dhe nuk krijon ndonjë efekt. Po, krijon terror psikologjik tek bizneset dhe tek qytetarët. Është rast shumë i përzgjedhur, sepse janë 16 pronarë dhe u arrestrua një.

Ju a druheni se SPAK mund të përdoret për t’ju goditur?

Monika Kryemadhi: Metodoligjia që ka përdorur SPAK, ka qenë ajo, që personat me precedent penal, bëjnë padi për njerëz të tjerë dhe kanë për detyrë që të hetojnë dhe t’i çojnë deri në fund. Problemi është tek procedurat, këtu është problemi i mosfunksionimit të shtetit. Mua nuk më shqetëson SPAK-u. Një prokuror është një nëpunës. Rrogën ja jep Edi Rama, i thotë të heq burrin nga puna, të bëjë këtë e atë, të vë 10 policë nga mbrapa.

Zonja Kryemadhi, juve thatë se keni dijeni për disa fletë thirrje në SPAK për ju personalisht. Për kryetarin tuaj të partisë, keni dijeni, ka ndonjë fletë-thirrje në SPAK?

Monika Kryemadhi: Po edhe mund të ketë, çfarë problemi ka?

Për çfarë çështjeje?

Monika Kryemadhi: Nuk e di, mund të ketë edhe 200 çështje. Për neve fletë-thirrje nuk ka, po fletë-thirrjet në SPAK mund të jenë edhe për dashnorët apo dashnoret e gazetarëve, kështu që mos u shqetësoni, se mund të ketë fletë-thirrje edhe për këto gjëra.

Nuk do ketë më asnjë seancë plenare të parlamentit?

Monika Kryemadhi: Nëse maxhoranca do jetë shumë abuzuese me rregullat që ka parlamenti, sepse ne kemi rregullore që duhet ta zbatojmë, mendoj se kjo është dhe një nga gjërat më absurde, që ne bëjmë. Sepse në fund të fundit opozita fjalën ka. Ne në numër votash nuk i mundim dot ata, por ajo që kemi në dorë është fjala.

Kur më heq të drejtën e fjalës, i bie që të ikim fare. Por edhe po të ikim nga parlamenti, do të ndodhë siç ndodhi në parlamentin e kaluar, që ia dhamë gjitha armët në dorë Edi Ramës dhe ndryshoi Kushtetutën e çdo gjë, me bekimin e opozitës falso. Kjo është histori, që do mbledhë e do mbledhë e do shpërthejë një ditë, se s’ka ku të shkojë.

Seanca e sotme u ndërpre, pas një sherri në Kuvend mes deputetit socialist Vullnet Sinaj dhe atij demokrat, Bledjon Nallbati. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB