
TIRANË- Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri në një konferencë për mediat, ka folur për herë të parë mbi qëndrimin që PS do të mbajë për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke lënë të kuptohet atë që ZËRI, e ka paralajmëruar dhe më herët, që mazhoranca do të kërkojë pak ndryshime. Gjiknuri tha se sistemi aktual është i mirë, megjithëse PS është e hapur që të dëgjojë propozime të tjera. Socialisti tha më tej se ndryshimi i sistemit nuk është pjesë e rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
“Cështja e sistemit është politike, cdo parti propozon sistemin që i volit asaj, sipas interesit të saj. Për sistemin nuk ka rekomandim, sistemin e kemi shumë të mirë, gjithësesi do i dëgjojmë të gjitha palët, edhe në këtë process do jemi gjithëpërfshirës”, tha ai.
Partia Demokratike që përfaqësohet nga Lulzim Basha, si pjesë e propozimeve për Reformën Zgjedhore ka dhe ndryshimin e sistemit, në propocional kombëtar me lista të hapura, nga propocional rajonal që është aktualisht. Nga ana tjetër grupimi Berisha-Bardhi nuk ka një propozim konkret për sistemin, por kërkon që puna për Reformën të nisë nga zhbërja e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2020.
Palët politike vijojnë përplasjet e tyre sa i takon Komisionit për Reformën Zgjedhore. Mbledhja e sotme u shty për dy orë, dhe u mbajt online, me praninë vetëm të deputetëve të PS-së dhe pjesës së opozitës që përfaqësohet nga Lulzim Basha. Në mbledhjen që zgjati vetëm 20 minuta, u miratua kalendari i punimeve. Grupimi Berisha-Bardhi kërkojnë ndryshimin e strukturës së komisionit, dhe ndryshimin e postit të nënkryetarit. Grupimi Berisha-Bardhi i kërkuan dje përmes një letre, kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla dhe për dijeni ambasadorëve të QUINT-it, që të ndryshohet përbërja e Komisionit të Posaçëm për Rëformën Zgjedhore.
/ZËRI