TIRANË-Në Kuvend po zhvillohet interpelanca e me ministrin e Mjedisit Sofjan Jaupaj, ndaj të cilit deputetë të Partisë Demokratike kërkojnë sqarime për situatën e krijuar në Shqipëri lidhur me planin për të ndërtuar një resort luksoz brenda në zonën e mbrojtur të Nartës.
Japuaj ka deklaruar se projekti do t’i nënshtrohet një analize të plotë për ndikimin në mjedis. Ministri shprehet se statusi aktual ligjor i zonës lejon ndërhyrje të kontrolluara ekonomike, duke synuar një balancë mes zhvillimit dhe ekologjisë. Ndër të tjera, Jaupaj theksoi se as direktivat e Bashkimit Evropian nuk parashikojnë bllokime automatike, por kërkojnë respektim rigoroz të habitateve.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj: Askush s’mund të vërë në dyshim angazhimin tonë për natyrën sepse është i matshëm. Është debat i shëndetshëm dhe i nevojshëm, por duhet të mbështetemi te faktet, ligjet dhe shkenca. Së pari, janë ngritur pretendime se procedura mjedisore është anashkaluar. Faktet tregojnë se pas shqyrtimit të dokumentacionit, u vendos që duhet t’i nënshtrohet procedurës së thelluar të ndikimit në mjedis, pra është aktivizuar niveli më i lartë i legjislacionit. Projekti do t’i nënshtrohet një analize të plotë. Me fjalë të tjera, shteti shqiptar ka vendosur që vendimmarrja mjedisore të vendoset mbi evidencën shkencore. Është pikërisht garancia që mbrojtja e natyrës duhet të bazohet mbi fakte, studime dhe vlerësime profesionale.
Statusi i zonës së mbrojtur. Zona e Pishë-Poros është shpallur zonë e mbrojtur, kategoria V që nuk është rezervë strikte natyrore. Filozofia bazohet mbi bashkëjetesën e natyrës dhe aktivitetit ekonomik e social. Mbi zonat e mbrojtura mund të ekzistojnë qendra banimi etj. Ligji shqiptar nuk vendos ndalime, por kushte sesi duhet të realizohen. BE kërkon respektimin e direktivës së habitateve dhe shpendëve. Projekti të zhvillohet në bazë të ndikimit konkret që mund të ketë. Nenet kërkojnë vlerësim të përshtatshëm të ndikimit dhe jo ndalim automatik.