Video

Zhvillimet kryesore të javës politike! Nga çështja Balluku te përplasjet në protestë dhe qëndrimi për UÇK-në

Lidhur me vendimin unanim të Gjykatës Kushtetuese, që përcaktoi se imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin, Rama tha se mazhoranca do të angazhohet për ndërhyrje në legjislacion.

Loreta Koleci
Zhvillimet kryesore të javës politike! Nga çështja Balluku
Foto ilustruese

TIRANË- Java nisi me zhvillime të forta politike, të fokusuara te çështja e Belinda Ballukut. Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, u bënë publike tre konkluzione. Lidhur me vendimin unanim të Gjykatës Kushtetuese, që përcaktoi se imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin, Rama tha se mazhoranca do të angazhohet për ndërhyrje në legjislacion. Sa i takon kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, ai u shpreh se nuk ka urgjencë për mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ndërkohë, Belinda Balluku, e pezulluar nga postet qeveritare, mban aktualisht vetëm mandatin e deputetes. Reagim pati edhe nga Komisioni Evropian, i cili kërkoi që Kuvendi të trajtojë pa vonesë kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Gjatë javës, ish-deputeti demokrat Dashnor Sula u emërua Kryeinspektor i Përgjithshëm me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa Rama u shfaq krah tij në një mbledhje me drejtuesit e inspektoriateve ditën e premte, ku nuk munguan as diskutimet mes tyre. I ndjekim!

EDI RAMA: “Dua të them dy fjalë për faktin që kryeinspektori vjen nga një pjesë e karrierës që ka qenë politike, por më parë ka qenë protagonist në sistemin e mëparshëm, formimi juridik është i rëndësishëm…këtu jemi vend i vogël për t’u ndarë dhe kur vjen puna te politika ndarja është e natyrshme por kur vjen puna te politika mirë është që të bashkëpunojmë. Edhe mua nuk më ka kursyer zotëria kur ka qenë në parlament tani ta shohim se si ka bërë gjëra për të cilat nuk na ka lënë gjë pa thënë ne."

DASHNOR SULA: “Kam pranuar këtë sfidë sepse ju vlerësoj maksimalisht për vizionin. Ndoshta është e pamundur që një demokrat për 20 vite në politikë në një llogore tjetër, që ju e thatë me të drejtë, kritikuar gjuajtur me gurë, por diferenca qëndron në një moment thelbësor dhe nuk kam turp, aty ku unë kam kontribuar kam dhënë për 20 vite, dhe garën e fundit të hedhin në rrugë, qeveria jote, mora kurajon, konkurrova, dola i pari dhe u vlerësova. Kjo është diferencë. Ajo sfidë që më keni hedhur, do ta përmbushim së bashku me të gjithë, të jap fjalën e burrit.”

Më 11 shkurt, Partia Demokratike zhvilloi protestën kombëtare para Kryeministrisë, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Momenti më i tensionuar u regjistrua menjëherë pasi kryetari i PD-së, Sali Berisha, përfundoi fjalën e tij, kur drejt godinës së qeverisë u hodhën shishe molotovi dhe fishekzjarre. Policia ndërhyri me autobot uji për të shuar flakët dhe për të shpërndarë protestuesit.

Më pas, protesta u zhvendos para Parlamentit, ku pati incidente të tjera. Si pasojë, 16 efektivë policie mbetën të lënduar dhe 21 persona u arrestuan, ku mes tyre ishin dhr 7 të mitur. Pas përfundimit të protestës, Berisha njoftoi në një konferencë për mediat se protesta e radhës do të mbahet më 20 shkurt.

Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi unanimisht një deklaratë në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe ish-komandantëve: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë. Me 92 vota pro, Kuvendi e cilësoi kërkesën për dënimin me 45 vite për secilin si përpjekje për shtrembërim të historisë së luftës.

Po ashtu, Komisioni i Reformës Zgjedhore vijoi punën mes PS dhe PD, duke shpallur ekspertët përkatës të këtij komisioni. Konkretisht, ekspertët nga Partia Socialiste do të jenë: Viktor Gumi, Elena Xhina dhe Dardan Malaj. Ekspertët nga Partia Demokratike do të jenë: Altin Kazizaj, Muharrem Çakaj dhe Arjan Madhi. Ndërsa Damian Gjiknuri theksoi gjatë mbledhjes nevojën për konsensus mes dy palëve dhe përmbushjen e detyrave të kërkuara nga Komisioni Evropian./ZËRI

Poll

MOS HUMB