TIRANË-Koordinatorja për diasporën në PD, Jozefina Topalli ka denoncuar në rrjetet sociale një shtetas shqiptar që punon si postier në Itali. Topalli shprehet se punonjës i postës së DHL-së është një simpatizant i Partisë Socialiste, i cili pozonte me zarfet ku ndodheshin fletët e votimeve për zgjedhjet e 11 majit.
Ajo ka postuar foto dhe video të marra nga profili i shtetasit Sinan Patozi nga Divjaka, teksa paketon dhe transporton zarfat e diasporës që do të nisen drejt Shqipërisë. Por edhe foto të postierit shqiptar në takimet e PS-së dhe në krah të Taulant Ballës. Topalli shton se këtu kemi të bëjmë me një rast flagrant të manipulimit të votimeve në diasporë.
POSTIMI:
Zarfat fluturojnë, Sinani po komandon! Në foto: Sinan Patozi, militant besnik i PS nga Divjaka, i vendosur në Itali. Për ne, një qytetar si gjithë të tjerët. Për Partinë-Shtet? Një “heroi i kutive të votimit”, që mbart fletët sikur të ishin amaneti i Rilindjes.
"Kur militantët marrin përsipër të shpërndajnë dhe të mbledhin kutitë e votimit jashtë Shqipërisë, procesi zgjedhor humbet çdo besueshmëri. Kur një individ si Sinan Patozi – pa asnjë status zyrtar, por me lidhje të hapura partiake – ekspozohet publikisht duke trajtuar zarfe votimi si pronë personale, nuk kemi të bëjmë me zgjedhje të lira, por me një farsë të organizuar. Vota e emigrantëve është një e drejtë kushtetuese, jo një instrument në duart e partisë. Dhe kjo farsë e koordinuar përmes militantëve është një tjetër dëshmi e manipulimit brutal që kërkon të vjedhë edhe diaspor,"-shkruan Topalli në një tjetër postim.
Në një video të postuar në profilin e ij postieri nuk dallohet duke ndërhyrë në zarfa, ndonëse në një postim duket se bën një batutë, duke pyetur ndjekësit nëse duhet t’i nisë votat apo më parë “t’i plotësojë sipas dëshirës”.
