Politikë

Vota e diasporës/ PS-PD arrijnë marrëveshje, KQZ dorëzon draftin në Kuvend, problem emigrantët pa dokumente shqiptare

Damian Gjiknuri tha se kanë rënë dakord për zgjatjen e afateve për votën, nga 45 në 60 ditë; e po ashtu edhe për shpenzimet, që do të mbulohen nga buxheti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

k.m.
Vota e diasporës/ PS-PD arrijnë marrëveshje, KQZ dorëzon
Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi

TIRANË- PS dhe PD janë dakordësuar për votën e Diasporës. Gjatë bisedimeve që kanë zgjatur prej ditësh mes sekretarit për Organizimin dhe çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri dhe dy të dërguarve demokratë, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso, duket se ka një marrëveshje. Më shumë detaje ka zbuluar gazetari Muhamed Veliu, gjatë një interviste me socialistin Gjiknuri. Në deklaratën e parë lidhur me këtë çështje, Damian Gjiknuri tha se kanë rënë dakord për zgjatjen e afateve për votën, nga 45 në 60 ditë; e po ashtu edhe për shpenzimet, që do të mbulohen nga buxheti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Palët duket se kanë rënë dakord edhe për numëruesit e votës së diasporës. 

"Një shqetësim që e kishin ngritur demokratët që ka të bëjë me përbërjen e grupeve të numërimit dhe komisionit të numërimit të votave të diasporës. Kemi rënë dakord në ato parime që ekzistojnë në kodin zgjedhor, të jetë një përfaqësim partiak, me barazi palësh në përfaqësim. Kemi shprehur edhe gatishmërinë dhe besoj se qeveria do ta realizojë pas kërkesës zyrtare të KQZ-së, personave që iu kanë skaduar mjetet e identifikimi do të kenë mundësi të regjistrohen në këto zgjedhje,"-tha Gjiknuri.

Por ka edhe një çështje që nxit diskutime. Ka të bëjë me një propozim të demokratëve lidhur me shqiptarët që kanë mjete identifikimi të vendit ku jetojnë dhe jo ato shqiptare. Nëse ka një akord për njohjen e letërnjoftimeve dhe pasaportave të skaduara, për emigrantët që nuk kanë asnjë prej tyre ka ende një "ngërç". 

Muhamed Veliu: Ka një propozim të PD-së, që a ka shtetas shqiptarë që kanë pasaportë të vendeve europiane që t’i jepet mundësia të regjistrohen dhe votojnë në zgjedhjet e majit, si e shikoni ju?

Damian Gjiknuri: Këtu ka dy elementë, principali dhe praktikë. Principali është se ne kur kemi bërë dispozitat e kodit zgjedhor për diasporën e kemi përcaktuar që shtetasi duhet të ketë mjet identifikimi, ID dhe pasaportë, ku pavarësisht se ku jetojnë këto duhen me patjetër. Nga ana praktike është një problem serioz, sepse të dhënat biometrikë të shqiptarëve janë marrë pas vitit 2008. Hapja e sistemit krijon probleme dhe unë nuk e di se çfarë shqetësimesh mund të sjellin dhe unë nuk dua të eksperimentoj. Pjesa më e madhe atyre që kanë aplikuar gjatë këtyre katër javëve, pjesa dërrmuese e tyre, vetëm 800 ose 900 nuk kanë mjet identifikimi. Nuk është problem aq i madh, për kohën e mbetur nuk kemi pse ndryshojmë rregullat e lojës. Mendoj që me këtë gatishmëri që po tregojmë për heqjen e pengesën për vleftësisë së dokumentit të lëshuar mendoj që hapet hapësira për qytetarët që jetojnë në diasporë.

Sa i përket pjesëmarrjes, socialisti është optimist se më shumë se 200 mijë shqiptarë do të regjistrohen në portal, deri në fund të afatit. 

Muhamed Veliu: Cilët janë pritshmëritë tuaja për diasporën, sa do të regjistrohen deri në afatin e përcaktuar nga ju?

Damian Gjiknuri: Këtë nuk mund ta parashikoj dot, por me sa kam parë në trendin e deritanishëm, duke parë mesataren e regjistrimit 4000-4500 në ditë, mendoj që shifra do të jetë më shumë se 200 mijë e atyre që do të aplikojnë. Sa nga këta do të jenë në rregull me dokumentacionin, kartë ID ose pasaportë ose dokumente të tjera. Shpresoj të jetë mbi 200 mijë, sepse përbën një përqindje të lartë të votuesve shqiptarë.

Nga ana tjetër, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka dorëzuar në Kuvend sot draftin e dakordësuar të PS-PD për votën e diasporës.

Ndryshimet që KQZ propozon janë: pagesa 100% e kostos së zarfeve, rishikimi i afateve të regjistrimit për të përfituar 10 ditë më shumë për të përgatitur fletën e votimit për diasporën dhe për të numëruar votën e emigrantëve nga partitë. Numërimi i votave do të bëhet në ambientet e KQZ-së dhe numëruesit do të jenë stafi i Komisionit dhe përfaqësues nga partitë politike.

Nga 11 janar, platforma online "PER" wshtw hapur pwr tw pritur aplikimet e emigrantëve që duan të regjistrohen si votues nga jashtë. Për të gjithë ata që duan të votojnë, platforma do të jetw e hapur deri në 6 mars. Për t'u regjistruar duhet të futeni në faqen e KQZ-së dhe të klikojnë në seksionin “votues nga jashtë”. Pasi të klikojnë duhet që të vazhdojnë me procedurat dhe kërkesat e Komisionit të Zgjedhjeve. Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo. Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t'u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t'u numëruar më 11 maj. Referuar Kodit të ri Zgjedhor, vota e personave që jetojnë jashtë, llogariten në qarkun ku ai/ajo ka jetuar përpara se të largohej nga Shqipëria./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB