
TIRANË- Mbledhja e Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e thirrur për të shqyrtuar projektvendimin “Për shtyrjen e orarit të votimit për 55 qendra votimi në qarkun Vlorë”, ka dështuar pas largimit të anëtarëve të opozitës. Që në nisje të mbledhjes, disa prej anëtarëve të Komisionit kanë kërkuar fjalën duke mos i kursyer kritikat lidhur me rastin e Vorës. Muharrem Çakaj dhe Helga Vukaj nuk kanë denjuar që të kritojnë Komisonin Qendror të Zgjedhjeve për mosmarrjen e masave për të siguruar procesin. Po ashtu, e kanë kritikuar edhe për faktin se nuk i kishte bërë thirrje Policisë së Shtetit që të ishte prezente në të gjitha Qendrat e Votimit. Për shkak të tensioneve dhe parregullsive me "bagde- t", Vora ka mbetur pa vëzhgues. Sa i përket çështjes së shtyrjes së orarit të votimit për 5 Qendra Votimi në Vlorë, kërkesë e Arens Çelës, nuk u mor asnjë vendim. Pasi bënë denoncimin e tyre lidhur me Vorën, anëtarët e zgjedhur nga radhët e opozitës u larguan nga salla, duke e bërë të pamundur vijimin e mbledhjes. Pas tyre, mbledhjen e braktisi edhe juristi i Partisë Demokratike, Franci Nuri.
Ndërkohë, anëtarët e zgjedhur nga mazhoranca vijuan të qëndronin në sallë, por pa kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime. Në këto kushte, u sqarua se pa kuorum nuk mund të procedohej më tej.
PJESË NGA DISKUTIMET:
Muharrem Çakaj: Dua ta nis diskutimin me ngjarjen e rëndë të Vorës. Për mua është e patolerueshme që ngjarje të tilla të ndodhin edhe me bekimin e KQZ. Unë kam pasur kërkesa për t'u pajisur me karta vëzhguesi. Zonja Allushi më krijoi mua një sërë pengesash për t'u pajisur me kartë vëzhguesi. Ngjarja e Vorës flet vetë. Në gjykimin tim kjo është papërgjegjshmëri nga zoti Celibashi. Disa muaj para zgjedhjeve ne kemi pasur një analizë zgjedhore dhe kemi pasur në fokus krimin zgjedhor dhe pretendimi në këtë diskutim, i kam bërë pyetje përfaqësuesit të SPAK për krimet zgjedhore dhe më ka thënë që është proces dinamik duke shtuar se "po nuk e kape në flagrancë, është është e vështirë më pas". Nuk e kuptoj. Uroj mos të ndodhi krimi zgjedhor në vendet e numërimit të votave.
Helga Vukaj: I bashkohem kolegut për atë ndodhi në Vorë. Dëshmon për apatinë dhe mbylljen e syve të KQZ-së. Falenderoj mediat për pamjet filmike dhe provat e faktet e siguruara. U dëshmua se ky proces është jo i lirë, i ndikuar, i kriminalizuar. Badge në rastin e Vorës flasin vetë. Nuk merren përsipër as nga kryekomisioneri. Efektin dhe dëmin këto persona e dhanë në rastin e Vorës. Shqetësuese është thirrja e KQZ për Policinë e Shtetit.
Dritan Çaka: Jemi në fund të një procesi zgjedhor, gati 1.5 orë nga fundi. Do të doja që përmes kësaj salle ti bëja thirrje subjekteve politike që në këto orë të fundit të respektojnë sa më shumë Kodin Zgjedhor dhe çdo ligj tjetër që normon jo vetëm procesin zgjedhor, por edhe veprimtarinë e përditshme.
Franc Nuri: Bashkohem me shqetësimet që u ngriten në rastin e Vorës. Kam qenë vetë prezent në disa zona në Tiranë. I bëj thirrje Policisë së Shtetit që të jetë prezente në këto raste dhe në këto ambiente. I bëj thirrje organeve kompetente që të marrin përgjegjësitë e tyre. Po ashtu, u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të ushtrojnë të drejtën e votës.
Elena Xhina: Presim për një deklaratë për rastin e Vorës. Kjo çështje është në dorën e Komisionerit. Askush nuk e thërret Policinë, ashtu siç nuk e thërret në rastin e Nokës. Sa i përket këndvështrimit tim, zgjedhjet kanë shkuar mirë.
Pas tensioneve të mesditës, në Vorë momentalisht nuk ka asnjë vëzhgues në gjashtë qendrat e votimit në "KZAZ 27". Sipas kryetarit të KZAZ ka mbërritur një shkresë ku subjektet politike janë ankuar për ndërhyrje të vëzhguesve dhe se kanë pasur ndikim te qytetarët. Sipas PD-së, në KZAZ ishin futur persona të lidhur me grupet kriminale, me të cilët u përplasën deputetët Albana Vokshi dhe Flamur Noka. Për këtë të fundit ka nisur një hetim në gjendje të lirë./ZËRI