GREQI- Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Athinë, aty ku pritet të ketë takime të rëndësishme. Kreu i qeverisë shqiptare është pritur nga homologu grek, Kyriakos Mitsotakis.
Rama ndodhet në Athinë me ftesë të Forumit Ekonomik të Delphit, (21-23 prill) një platformë ndërkombëtare e nivelit të lartë. Në forum do të zhvillohen diskutime ku do të trajtohen sfidat kryesore globale, me fokus në dialogun ndërkombëtar, shkëmbimin e ideve dhe nxitjen e politikave për zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim rajonal e global.
Vetë Rama ka ndarë pamjet nga takimi përmes një postimi në rrjetet sociale, i cili ka shprehur miqësinë dhe ambicien për marrëdhënien e dy vendeve.
"Athinë - Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik", shkruan Rama në postim.
Gjatë punimeve të Forumit, do të nënshkruhet në një ceremoni të veçantë Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC) dhe Hellenic Corporation of Assets and Participations S.A.
Ky forum është një platformë ndërkombëtare e nivelit të lartë, e cila çdo vit bën bashkë liderë politikë, përfaqësues të biznesit, akademikë dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar sfidat kryesore globale, për të nxitur dialogun ndërkombëtar, për të shkëmbyer ide dhe për të kontribuar në hartimin e politikave që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin rajonal e global./ZËRI