TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka përshëndetur vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e 41 vendeve vakante për ndihmës ligjorë në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit. Përmes një reagimi në rrjete sociale, Lamallari e ka cilësuar një lajm të mirë dhe hap konkret në funksion të përmirësimit të sistemit të drejtësisë.
Sipas ministrit, shtimi i kapaciteteve është një zgjedhje politike në funksion të qytetarëve m standarde të panegociueshme demokratike njësoj si në vendet e BE-së.
Reagimi i plotë i Lamallarit:
"Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e 41 vendeve vakante për ndihmës ligjorë në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, është një lajm i mirë. Një hap konkret që i shërben drejtpërdrejt uljes së stokut të dosjeve dhe përshpejtimit të dhënies së drejtësisë. E shtrova nevojën e kësaj ndërhyrjeje edhe në takimin e së hënës për nisjen e vitit të ri gjyqësor. Shtimi i kapaciteteve dhe forcimi i burimeve njerëzore në sistemin tonë të drejtësisë nuk është thjesht një masë administrative, por një zgjedhje politike në funksion të qytetarëve, për një drejtësi më efikase, më të shpejtë dhe më të besueshme. Sigurisht edhe me standarde të panegociueshme demokratike njësoj si në vendet e Bashkimit Evropian."
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka marrë vendimin për miratimin e 41 vendeve vakante për ndihmës ligjorë në gjykatat e shkallës së parë dhe apelit, me synim shtimin e stafit për të ndihmuar punën dhe për siguruar një proces më efikas të shqyrtimit të çështjeve./ZËRI