
TIRANË- Opozita dhe mazhoranca debatuan sot për vdekjen e 14-vjeçarit Martin Canit në ambientet e shkollës Fan Noli në Tiranë, nga një bashkëmoshatar i tij. Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa kërkoi që ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu të japë dorëheqjen pas ngjarjes së rëndë. Zhupa kërkoi që dikush të mbajë përgjegjësi për vrasjen e tij.
"Uroj që zonja Manastirliu që s’ka ardhur këtu të jetë dukë nënshkruar dorëheqjen. Kur ne kemi ngritur zërin për oficerët dhe psikologët në shkolla është zgërdhirë Manstirliu. Paketën e sigurisë në shkolla ku e çuat, te hashashi te droga që hynë nëpër shkolla? Thika, biçaku kjo është paketa", tha Zhupa.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali i ndërpreu fjalën duke thënë se po përdorte procedurën për politikë.
“Ngjarja tragjike që na ka tronditur të gjithë ne e përdorët për të bërë politikë procedurën”, tha Spiropali.
Debatet vijuan pasi Zhupa përmendi paketën e sigurisë në shkolla e propozuar më shumë se një vit më parë nga Ministria e Brendshme, me ndryshime në 11 nene të Kodit Penal për ashpërsim të krimeve në ambientet e shkollave, por që mbeti pezull. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili propozoi paketën, i kërkoi opozitës që të mos bëjë politik me këtë ngjarje të rëndë.
“Sot kemi nevojë më shume se kurrë t’i kalojmë ato ndryshime ligjore që ashpërsojnë masat ndaj atyre që shkelin ligjet ne perimetrin e shkollave. Na duhet t’i dyfishojmë masat ndaj atyre që shkelin rregullat e qarkullimit në shkolla, t’i dyfishojmë masa penale ndaj gjithkujt që shpërndan lëndë narkotike në shkolla. Unë mendoj që kjo ngjarje duhet të na bëjë me përgjegjësi të gjithëve. Opozita duhet të deklarojë që është gati t’i miratojë këto ligje. Ne nuk e kemi shumicën e cilësuar”, tha Balla.
Ndërsa deputeti Zheni Gjergji tha se duhen ligje më të rëndësishme.
“Kur doni të sillni ligje me porosi i sillni brenda ditës, jo më ligje kaq të rëndësishme si ajo që thatë për kufizimin e mediave sociale për të rinjtë tanë, keni pasur dashamirësinë tonë e do ta keni kur bëhet fjalë për fëmijët”, tha Gjergji.
Ndërkohë, PD kërkoi 1 minutë heshtje për vrasjen e 14-vjeçarit, por kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali u tha se duhet të presin kur të jenë të gjithë deputetët në sallë. Pavarësisht kësaj, opozita u ngrit në këmbë dhe mbajti një minutë heshtje.
Por çfarë përmban paketa e sigurisë në shkolla?
Taulant Balla kur ishte ministër i Brendshëm publikoi në vitin 2023 paketën për perimetrin e sigurisë në shkolla. Në paketë propozohej rritje e dënimeve me burg për 10 vepra penale që kryhen në ambientet shkollore. Në paketën e sigurisë në shkolla do të kishte ashpërsim të dënimeve për veprat penale si dhuna seksuale, pornografia, trafikimi i të miturve, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve të zjarrit, mbajtja apo shitja e armëve të ftohta, shitja e lëndëve narkotike, përshtatja e lokalit për përdorim droge, hedhja ose braktisa e shiringave, nxitja për përdorimin e drogës, drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt nëse do të kryhet në ambientet shkollore do të ketë ashpërsim të dënimeve.
Për mbajtjen e armëve të ftohta u propozua dënim me burg nga 3-6 vjet, ose gjobë që përcakton Kodi aktual penal. Por kjo paketë mbeti peng për shkak se Ministria e Drejtësisë po përgatit një Kod të ri Penal. /ZËRI