
TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta do të dalë sot para Gjykatës së Posaçme në orën 09:30, për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tij së bashku me deputetën e PL-së Monika Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun.
Ish-presidenti u arrestua ditën e hënën në Tiranë, teksa po kthehej nga Kosova, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai akuzohet për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish.
Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit, por ndryshe nga ish-bashkëshorti i saj, Gjykata e Posaçme, vlerësoi se Kryemadhi duhet të kishte një masë më të butë sigurie duke marrë parasysh disa elementë, mes tyre edhe shëndetin e Kryemadhit.
Meta prej 21 tetorit mbahet në paraburgim në qelitë e Bllokut të Sigurisë në Tiranë, ndërsa ndaj Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos) është caktuar “arrest shtëpie”, ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”. /ZËRI