
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbjan dhe kunatin e tij Ahmet Mashën. Avokatët e Çyrbjas dhe Mashës u njohën me materialet e dosjes në seancë, pasi nuk ua kishin dhënë më parë me pretendimin se është "sekret hetimor". Hetuesit e SPAK janë arsyetuar në seancë se ka edhe persona të tjerë për t'u hetuar, kryesisht zyrtarë dhe ish-zyrtarë që kanë dhënë informacione tek Çyrbja, i cili më pas ua ka kaluar grupeve kriminale. Ndaj për këtë arsye, edhe GJKKO ka vendosur ndalim të publikimit të dosjes pasi në komunikimet e Sky ECC janë dhe emra të personave të tjerë që janë ende nën hetim. Për të informuar avokatët me përmbajtjen e dosjes, i lanë 40 minuta kohë që të lezxonin dhe më pas të përgatisnin mbrojtjen e tyre.
Pasi kanë lexuar dosjen, më pas seanca ka vijuar normalisht. Avokatët kanë thënë se klienti i tyre nuk është përdorues i aplikacionit "SkyECC" siç edhe pretendohet nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa vetë ish-deputeti socialist dhe Masha nuk kanë pranuar të flasin por kanë heshtur para gjykatës. Pavarësisht pretendimeve të avokatëve, gjyqtari ka vendosur që të mos e ndryshojë masën e sigurisë duke lënë në fuqi atë që ishte vendosur pak ditë më parë.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) pasi ngriti akuzat për tre veprat penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Ndërsa më herët mbi Çyrbjan rëndonte dhe akuza e shpërdorimit të detyrës.

Sipas hetimeve të SPAK, Çyrbja ndihmoi Altin Hajrin të arratisej nga drejtësia duke e lejuar atë të fshihej në shtëpinë e tij. Mesazhet në aplikacionin "SkyECC" kanë zbuluar se gjatë aksionit të Policisë së Shtetit për kapjen e tij, personazhi i njohur i botës së krimit ishte fshehur në banesën e asokohe deputetit të Partisë Socialiste në Shijak. Kështu i kishte shpëtuar arrestimit nga Policia e Shtetit. Lidhur me pengmarrjen dhe vrasjen e Prengës, Altin Hajri u shpall fajtor nga Gjykata e Durrësit dhe u dënua në mungesë me 7 vite heqje lirie për vrasje me dashje mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, edhe pse Prokuroria kishte kërkuar 15 vite burg.
"Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 21.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “1. Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosur për personat nën hetim Jurgis Çyrbja dhe Ahmet Masha me vendimin Nr. 126 Akti, datë 20.10.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale, për personat nën hetim Jurgis Çyrbja dhe Ahmet Masha”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 103,112, 248 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 129, datë 22.10.2024, vendosi:
1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale caktuar ndaj personit nën hetim Jurgis Çyrbja me vendimin Nr. 126 Akti, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë (sipas episodeve respektive), parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal, “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë (sipas episodeve respektive), parashikuar nga neni 302/1/2 i Kodit Penal,“Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim me të hetuarin Ahmet Masha, parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal, “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim me të hetuarin Ahmet Masha, parashikuar nga nenet 302/1 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
2. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale caktuar ndaj personit nën hetim Ahmet Masha me vendimin Nr. 126 Akti, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim me personin nën hetim Jurgis Çyrbja, parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim me personin nën hetim Jurgis Çyrbja, parashikuar nga nenet 302/1 e 25 të Kodit Penal. Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; ëëë.gjp.gov.al
3. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
4. Bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale ndalohet publikimi i pjesës përshkruese dhe arsyetuese i këtij vendimi, kërkesës së Prokurorisë së Posaҫme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për caktimin e masave të sigurimit personal, si dhe i akteve që lidhen me këtë ҫështje nëpërmjet shtypit ose informacionit masiv deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, përbën vepër penale sipas nenit 295/a paragrafi 3 i Kodit Penal nën titullin “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi", njofton GJKKO.
Ish-deputeti u arrestua më 20 tetor me urdhër të SPAK pasi akuzohet për lidhje me një grup kriminal në Durrës. Çyrbja dyshohet se ka dalë në komunikime në platformën e koduar Sky ECC me grupin kriminal, të cilët e kanë ndihmuar për të marrë mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare në vitin 2021.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)më 11 tetor. Dy ditë përpara se SPAK ta merrte të pandehur, Çyrbja hoqi dorë nga mandati i deputetit. Ish-deputeti akuzohet për ‘shpërdorim detyre’. Kallëzimi për Çyrbjan ishte bërë nga deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka gjatë kohës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, kohë kur Çyrbja drejtonte hipotekën e Durrësit.
Në atë kohë, si drejtues politik i qarkut të Durrësit, Paloka e akuzoi se kishte firmosur brenda të njëjtës ditë dy praktika për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm, duke sjellë mbivendosje të pronës. Deri më sot, deputeti nuk ka dhënë asnjë detaj për çështjen e tij. Madje, për mandatin është shprehur se ka vendosur që ta lëjë për shkak të problemeve shëndetësore. /ZËRI