Politikë

U akuzua se mori para nga Balluku për protestat kundër Veliajt, reagon Belind Këlliçi: Shpifje të qëllimshme

Ndërsa sot reagoi Belind Këlliçi, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale i ka cilësuar këto akuza “shpifje të qëllimshme” dhe shpjegon se është e pamundur që një komunikim i tillë të ketë ndodhur.

l.k
U akuzua se mori para nga Balluku për protestat kundër Veliajt, reagon
Belind Këlliçi

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas akuzave të shpërndara në rrjetet sociale se ai dhe protestat për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, janë financuar nga Belinda Balluku.

Gazetari Almer Toska deklaroi pak ditë më parë se Belinda Balluku ka mbushur xhepat jo vetëm të njerëzve të saj, por edhe të opozitës dhe partive të reja.

“Një deputet shumë i rëndësishëm i Partisë Demokratike, i afërt me Sali Berishën, komunikon në një grup WhatsApp-i me Evis Berberin. Deputeti i shkruan: ‘Na duhen lekë për molotovë’. Berberi i përgjigjet: ‘Keni shumë pak njerëz, pse nuk organizoheni më mirë?’ dhe deputeti ia kthen: ‘Nuk kemi financa’. Kjo tregon se deri në çfarë niveli ka arritur blerja copë-copë e opozitës nga Belinda Balluku.”- u shpreh gazetari.

Ndërsa sot reagoi Belind Këlliçi, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale i ka cilësuar këto akuza “shpifje të qëllimshme” dhe shpjegon se është e pamundur që një komunikim i tillë të ketë ndodhur.
Ai thekson se protesta e parë për largimin e Veliajt u zhvillua më 5 prill 2024, ndërsa Berberi ishte arrestuar më 14 mars 2024 dhe ndodhej në paraburgim me kufizime të komunikimit.

Reagimi i Belind Këlliçit

Në kulmin e hetimeve për aferën korruptive Rama-Balluku, është hedhur publikisht një pretendim i pavërtetë sikur ekzistojnë komunikime mes meje dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, në lidhje me organizimin e protestave para Bashkisë Tiranë.

Faktet janë të qarta dhe publikisht të verifikueshme: Protesta e parë para Bashkisë është zhvilluar më 5 prill 2024, pas arrestimit të drejtorëve të 5D më 28 mars 2024, ndërkohë që Evis Berberi ka qenë i arrestuar dhe në paraburgim që prej datës 14 mars 2024, nën regjimin e kufizuar të komunikimit sipas Kodit të Procedurës Penale dhe rregullores së paraburgimit.

Në këtë periudhë, ai nuk ka pasur akses në komunikime të lira telefonike, elektronike apo takime fizike, përveç atyre të autorizuara dhe të dokumentuara zyrtarisht.

Prandaj, është objektivisht dhe ligjërisht e pamundur që një komunikim i tillë të ketë ekzistuar.

Çdo hetim i thjeshtë zyrtar nga SPAK ose çdo media investigative mund të verifikojë lehtësisht regjistrat e komunikimeve, autorizimet e takimeve, si dhe protokollet e kontakteve të paraburgimit dhe të konstatojë jo vetëm mungesën e komunikimit, por edhe pamundësinë fizike e juridike të ndodhjes së tij.

Personalisht nuk jam pjesë e konflikteve të brendshme të asnjë partie, nuk përdor kanale të ndërmjetme komunikimi dhe nuk jam instrument në luftëra politike apo propagandistike.

Për këtë arsye, nuk do ta trajtoj këtë çështje si debat publik, por si shpifje të qëllimshme, që do ta ndjek në rrugë ligjore sipas neneve të Kodit Penal.

Ftoj çdo media serioze, gazetar investigativ apo institucion të hedhë dritë mbi faktet dhe të publikojë çdo komunikim të pretenduar, nëse ekziston.

Kjo çështje nuk është thjesht një tentativë për baltosje personale. Është simptomë e një kulture politike që ka ndërtuar sistemin mbi shpifjen, jo mbi provën. Mbi llumin, jo mbi transparencën e ligjin.

Unë nuk jam këtu për ta ushqyer këtë kulturë, por për ta sfiduar atë, me fakte, me standarde dhe me përgjegjësi publike. Ky është terreni ku unë zgjedh të bëj politikë e të luftoj.

/ZËRI

 

Poll

MOS HUMB