
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reguar sërish lidhur me aksionin ndaj zaptimit të hapësirave publike në të gjithë vendin. Duke shprehur edhe njëherë vendosshmërinë e tij për të vijuar me aksionin, kreu i qeverisë ka paralajmëruar reforma të reja ligjore. Rama njofton se problemet për “tokat e xanuna në kurriz të komunitetit”, do të adresohen rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit. Po ashtu, kreu i qeverisë ka njoftuar edhe krijimin e disa reformave të tjera për ujin e pijshëm, pastrimin, furnizimin me naftë e me barna, si për shërbimin spitalor.
"Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian,"-tha Edi Rama./ZËRI