
TIRANË- Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar thashethem absurd lajmin se do të takonte në Beograd të djalin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump Jr. Në artikull thuhej se më 26 prill 2025, Donald Trump Jr. po darkonte me Aleksandër Vuçiç në Beograd, në kuadër të një vizite të tij në Evropën Juglindore, ndërsa shtohet se u paralajmërua edhe një takim në Tiranë. Sipas shkrimit, ish-i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, konsiderohet si një "lobist" i padeklaruar i kryeministrit Edi Rama.
Ky i fundit deklaroi sërish sot se përveçse të pavërteta janë një marrëzi, pasi sipas tij nuk ka asnjë arsye që ai ta kërkojë një tkaim të tillë. Rama u shpreh se kreu i PD, Sali Berisha detyroi ish-të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell dhe djalin e presidentit të SHBA-ve Donald Trump, të dalin e të përgënjeshtrojnë lajmet e rreme.
Edi Rama: Godasin dhe krijojnë një thashethem absurd total. Unë nuk vajta as te funerali i Papës se prisja nga vllau jem në Beograd, se më shkrijnë edhe këta kënetarët e Kosovës që kanë të tjera nota melodike ata kur i përputhen kënetës se ata e kanë me Vuçiç, më shkrijnë fare me këto teori. Pra unë nuk vajta te funerali se prisja Vuçiç që të merrte në Beograd dhe të takoja si rastësisht djalin e Trump dhe këtë do ta bënte Grennell, që është person i respektuar me të cilin kam njohje dhe miqësi krejt normale por që kurrën e kurrën as s’do tia kërkoja një gjë të tillë. Pse duhet të shkojë në Beograd apo ku të doni që të takoj çunin e presidentit, apo kështu funksionon te këneta me çunin e babit, që babi çfarë. U detyruan ata edhe ambasadori, edhe çuni që të përgenjeshtrojnë kënetën që deri dje bënte sikur hynte e dilte për salcë kosi te shpia e Trump. Na sollën edhe Laten, 6 mln dollarë Latifi mund të shkojë nuk e di se ku. Përse? Për të marrë 6 mln dollarë kot lëviz Tifja ku të duash ti. Çfarë lidhje ka kjo me Amerikën dhe politikën amerikane. Ne nuk japim para për inceneratorët. Ne japim që të vazhdojë të mbahet pastër Tirana. Landfillin e Tiranës e ka shtet.
Vetë Richard Grenell, në reagimin e tij tha se i gjithë artikulli i botuar është një "gënjeshtër e plotë". Madje kërkon edhe rikorrigjimin e tij. Ndërkohë vetë djali i presidentit Donald Trump reagoi duke ripostuar shkrimin e Grenell në platformën "X"./ZËRI