Politikë

SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut! Rama: Fakt i turpshëm, arrestet pa gjyq janë bërë modë

Rama në reagimin e tij e quan kërkesën e SPAK një fakt të turpshëm, ku arrestimet bëhen pa gjyq.

F.I
SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut! Rama: Fakt i turpshëm,
Belinda Balluku dhe Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku me qëllim arrestimin. Kërkesa e SPAK vjen disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese me vendim unanim e riktheu në detyrë, duke rrëzuar vendimine e GJKKO-së për pezullim. 

Rama në reagimin e tij e quan kërkesën e SPAK një fakt të turpshëm, ku arrestimet bëhen pa gjyq. Kreu i qeverisë shprehet se këto arrestime nuk kanë lidhje me standartet demokratike europiane. Rama deklaron se si forcë politike në qeveri nuk paragjykojnë kërkesën e prokurorit por do të angazhohen për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë

Edi RamaPasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren - me burg ose në shtëpi. Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur - një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane - gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht. Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.

Çfarë ka ndodhur me çështjen e Belinda Ballukut

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. 

Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë zv.kryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Me shumicë votash, 5 me 3, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor. Po në të njëjtën mbledhje, dhe me të njëjtën shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi edhe pranimin e ankimimit të Qeverisë të bërë ndaj kësaj çështjeje. Për kërkesën e qeverisë për shqyrtimin në themel të çështjes, gjykata caktoi datën e seancës plenare publike: 22 janar 2026, ora 10:00. Në këtë proces do të thirren edhe SPAK, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës.

Sot katër ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme i kërkon Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit. Në njoftimin e ndarë për mediat, SPAK thotë se i ka kërkuar autorizim Kuvendit për arrestimin e Ballukut./ZËRI

Poll

MOS HUMB