
BRUKSEL- Shqipëria ka hapur sot grup-kapitujt e tretë me Bashkimin Evropian në kuadër të procesit të integrimit. Vendimi është marrë në Konferencën e 5-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, që u mbajt sot në Bruksel. Në total janë hapur tetë kapituj të përfshirë në Grupimin e 3-të: “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”.
Kapitujt e grupimit 3:
Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media)
Kapitulli 16 (Tatimet)
Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare)
Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi)
Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale)
Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi)
Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura)
Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor).
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili kryesonte delegacionin shqiptar në Bruksel shprehet se ky është një gur themeli i ri i hedhur në rrugën drejt BE-së.
"Një gurthemel i ri i hedhur me hapjen zyrtare të Grup-Kapitullit 3 - Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse - gjatë Konferencës së 5-të Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel. Hapja e 8 kapitujve të rinj sot reflekton progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një tregues i qartë se sa shumë kemi arritur brenda një kohe shumë të shkurtër,”- shkruan Hasani.
Kryeministri Edi Rama shkruan se kanë mbetur edhe 11 kapituj për tu hapur.
"RRUGA DREJT SHQIPËRISË2030 VAZHDON PA NDALIM. Këshilli i BE miratoi çeljen e negociatave për 8 kapituj të rinj nga Grupi 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, që përfshin arsimin, digjitalizimin, punësimin, politikën ekonomike, tatimet dhe inovacionin Deri tani janë hapur negociatat për 24 kapituj në vetëm 8 muaj dhe mbeten vetëm 11 të tjerë për t’u hapur – një ritëm tejet i lartë që tregon përparimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e BE-së për të arritur objektivin e përbashkët të mbylljes së negociatave më 2027. Përgëzime ka pasur edhe nga Marta Kos, Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, uron Shqipërinë,"- shkruan Rama.
“Urime Shqipërisë për hapjen e Grupit 3 mbi konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse sot! Kjo do të thotë një ekonomi më e fortë shqiptare në dobi të qytetarëve tuaj dhe një hap tjetër më afër BE-së. Zgjerimi i BE ka të bëjë me përparimin ditë pas dite”, shkruan Marta Kos.